Osmani pas kritikave se nuk e përmendi UÇK-në: Po bëhet luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta

Prishtinë | 10 Pri 2021 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video në Facebook përmes së cilës thotë se kundërshton atë që ajo e quan “luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta” kundër saj.

Ky reagim vjen pasi Osmani u kritikua shumë sepse kur ajo foli për betejën e Koshares në llogarinë e saj në Facebook, nuk e përmendi fare UÇK-në.

“Nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë”, thotë ajo.

Shkrimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku Ushtria jonë Çlirimtare luftoi, janë frymëzimi ynë, burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri. Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë. Përtej propagandës së orkestruar, dëshmitë flasin ndryshe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme