Osmani: Pas regjimit të egër që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, filloi rezistenca për liri e Pavarësi

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 12:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nderë të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se sot janë i ka mbledhur krenaria për familjen Jashari dhe heroin kombëtar, Adem Jashari.

Para deputetëve, e para e shtetit, tha se gjatë viteve të 90-ta, heroi kombëtar Adem Jashari filloi rezistencën dhe artikulimin për liri e pavarësi.

“Sot na ka mbledhur krenaria për heroin tonë dhe për familjen Jashari, Na mban të bashkuar dhimbja sublime e një kombi të tërë për familjen Jashari. Jemi mbledhur që ta ripërtërijmë historinë e dhimbshme dhe krenarinë me të cilën jemi ndeshur. Pavarësisht se jemi përballur me padrejtësi të mëdha, e kapërcyem së bashku, breza të tërë e kapërcyen këto sfida. Ai u bë imediatë në fillim vitet 90’”, tha Osmani.

“Në këtë kohë Kosova u përballë me një regjim të egër, i cili synonte shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë, prandaj e filloi rezistencën dhe artikulimin për liri dhe pavarësi”, tha Osmani.

“Fatkeqësisht kur ne sot po e kujtojmë këtë histori ajo sikur po përsëritet vetëm në një kohë tjetër. Ideologji e njëjtë, viktima të njëjta, gra, të ri e pleq, Në të tillë situatë u gjend familja Jashari ndaj një regjimi vrastar, që nuk la mjet dhune pa përdorur. Por, sikur dihet nuk ka mjet dhune që e mposht bindjen e një populli për të jetuar të lirë”, tha Osmani.

“Vepra e Adem Jasharit dhe familjes së tij është ngjarja më e rëndësishme që ka vënë themelet e shtetit. Ne i falemi heroizmit të tij, sakrificës sublime që bënë për lirin e vendit të tyre.”, u shpreh Osmani.

Fjalimi i plotë:

Ne sot, 24 vjet pas sulmit ndaj familjes Jashari e rënies së saj heroike, jemi mbledhur që të evokojmë kujtimet, ta ripërtërijmë kujtesën për heronjtë tanë. Për historinë e dhimbshme tonën, por edhe për krenarinë me të cilën jemi veshur. Sepse, ne kemi qëndruar. Kemi qëndruar, deri në fitoren përfundimtare. Pavarësisht që jemi përballur me padrejtësi të mëdha, njërën nga të cilat, atë historiken, e kemi vuajtur deri në kapërcyell të shekujve, atij të XX dhe XXI. Breza të tërë e përballuan këtë dhimbje. Prandaj, jetësimi i shtetit të pavarur, qoftë kur përmendej në ambiente familjare, qoftë kur bëhej maksimë e elitave, ishte synim i përhershëm.

Ai u bë imediat, në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 kur Jugosllavia po shpërbëhej, bashkë me ideologjinë komuniste, mbi të cilën qe formuar e frymonte ende.  Në këtë kohë, Kosova u përball me një regjim të egër, i cili synonte shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë, prandaj e filloi rezistencën ndaj regjimit dhe artikulimin e kërkesave për liri e pavarësi.

E krahas artikulimit politik të kërkesave legjitime, qysh më 1991 ajo nisi organizimin e mbrojtjes dhe Adem Jashari ishte ndër të parët, që shkoi në Shqipëri, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kërcënimi i vazhdueshëm ishte shndërruar në përditshmëri për të e për Kosovën. Dhuna sistematike vetëm sa e kishte forcuar ndjenjën e refuzimit e të rezistencës, ngase tiranitë përgjatë gjithë historisë ia kanë rishkruar fatin vetvetes duke e rënduar peshën e dhunës. Ndaj familjes Jashari, sikurse edhe ndaj gjithë Kosovës rrethimi, torturat, vrasjet e burgosjet po bëheshin përditshmëri. Familjen Jashari e rrethuan më 30 dhjetor 1991 e më 22 janar 1998, por asnjëherë nuk u dorëzua. Madje, as në betejën vendimtare të 5, 6 e 7 marsit, kur forcat e shumta paramilitare e ushtarake e rrethuan lagjen e Jasharajve, në Prekaz. Familja me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë rezistuan për shumë orë, megjithëse shumë nga anëtarët e saj ranë nga predhat që e shembën çatinë e shtëpisë dhe muret e kullës. Në mesin e tyre edhe shumë fëmijë të moshës nën 16-vjecare, por dhe vetë Adem Jashari, për t’u shndërruar kështu në simbol të sakrificës njerëzore e në simbol të qëndresës, e duke vënë kështu themelet tona të forta për liri.

Të nderuar qytetarë!

Në kujtesën e kombeve ekzistojnë ngjarje të cilat vlerësohet se kanë sjellë kthesën e madhe në përpjekjen e tyre për liri. Ato janë gdhendur në kalendarin e përbashkët të tyre dhe ruhen si gurë i çmuar në kujtesën e secilit anëtar të kombit.

Vepra heroike e komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, e sakrifica sublime e gjithë familjes Jashari për liri, është ngjarja më e rëndësishme, e cila ka vënë themelet e shtetit dhe do të mbes gjithnjë në kujtesën e kombit shqiptar e do të ruhet aty përjetësisht.

Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari shënoi këtë kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, por ndikoi edhe në njohjen e realitetit të trishtë në Kosovë, prandaj edhe në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Pamjet e fëmijëve, të grave e të pleqve, të rënë në pragun e shtëpisë së tyre, duke mbrojtur pragun e gjithë Kosovës u shndërruan shpejt në thirrje për mbrojtjen e vlerave humane kudo në botë. Por, më shumë se kaq, ato e prekën në ndërgjegjen e botës së qytetëruar, e cila duhej ta mbronte një popull të shtypur, e duke e mbrojtur atë, t’i mbronte vlerat e qytetërimit të vet.

Në Evropën e fundshekullit XX po ndodhte sulmi më i egër i një regjimi totalitar e gjoncidal mbi një familje e mbi një popull, e cila gjithë çfarë kërkonte e donte ishte liria e kombit të vet, jeta e lirë, pa shtypjen e cungimin e lirisë. Por, kjo familje, familja Jashari ishte e gjithë Kosova. Ajo u bë theror i përpjekjeve të saj për liri. Prandaj, rezistenca e saj, sakrifica sublime e saj, krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm  ndërmjet shqiptarëve.

Beteja e Jasharajve  qe moment kthese në përpjekjen tonë për lëvizjen e armatosur. Ajo u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja që edhe ata t’i bashkoheshin UÇK-së e të sakrifikonin gjithçka nga vetja për ta jetësuar ëndrrën tonë për liri. Jehona e ngjarjeve të Prekazit preku zemrën e secilit shqiptar, prandaj ata u dyndën nga gjithandej rruzulli tokësor për t’u shndërruar në bartës të idealit të Ademit e të familjes Jashari. Ata i dolën zot tokës së tyre, vendit të të parëve e, duke i dalë zot atij, ia shpaguan sakrificën kësaj familjeje, nga bacë Shabani e deri te Blerina e vogël, si dhe gjithë brezave luftëtarë, që s’kishin kursyer asgjë për lirinë e vendit të tyre. 

Sot, komandanti Adem Jashari prehet i qetë në lëndinën e varreve në Prekaz, sepse gjaku i tij nuk shkoi huq. Prandaj, ne i falemi heroizmit të tij e të gjithë familjes Jashari, sakrificës sublime që ata e bënë për lirinë  e vendit të tyre. I falemi secilit veç e veç, dhe secilit dëshmorë që ra për lirinë tonë. Dhe, duke iu falur atyre ne rimobilizohemi që amanetin e tyre ta shpijmë përpara, zotohemi që të punojmë me nder që Kosovën për të cilën ata u flijuan ta bëjmë vend të dinjitetshëm për të jetuar; që të gjallët të ndihen krenarë me vendin e tyre e t’ia pohojnë çdo ditë vetes se sa shumë peshë ka liria e sa i bukur është atdheu kur ai duhet me zemër.

Historia jonë përgjithësisht, por edhe kjo e familjes Jashari në mënyrë të veçantë na mëson se, sikurse thoshte Ismail Qemali, fatet e popujve të vegjël kapërcejnë nëpër dyert e tragjedive të mëdha. Secili prej nesh e ka rrëfimin e vet për luftën. Secili ka kapërcyer nëpër derën e tragjedisë që mbështolli vendin tone e popullin tonë në fund të shekullit të shkuar. Por, secili e mban të gjallë rrëfimin për lirinë, kujtimin për ferrin nëpër të cilin kemi kaluar, por dhe për dritën e cila na mbështolli pastaj, për shkak të përpjekjes sonë, sakrificës sonë dhe përkushtimit për ta arritur atë, e mbi të gjitha për shkak të heroizmit të familjes Jashari.

Historia e secilit prej anëtarëve të familjes Jashari është historia e Republikës sonë, një copë pamje në pamjen e dhimbshme, por edhe krenare të lindjes së shtetit të Kosovës. Prandaj, duhet të flasim e të dëshmojmë për sakrificën e tyre e të gjithë Kosovës. Historia duhet të shkruhet e të mbahet në mend, të rikujtohet çdo ditë, që fati mizor të mos na shtyjë drejt përsëritjes së saj.

Të dashur qytetarë!

Adem Jashari e familja Jashari ishin sulmuar në shtëpinë e tyre. Prandaj, ata e mbrojtën atë, ashtu siç e mbrojtën të gjithë Kosovën. Çatia e kësaj shtëpie u shemb, por rënia e çatisë asnjëherë nuk nënkuptoi rënie. Përkundrazi. Nga ledhet e saj u ngrit një lëvizje e tërë, u ngrit një popull i tërë, e cila e ringriti shtëpinë tonë të përbashkët, Kosovën.

Prandaj, zgjedhja e tij dëshmon atë që dihej prej kohësh në kulturën e në traditën tonë shqiptare: se mbrojtja e tokës, e shtëpisë dhe e vendit, përveçse detyrë e shenjtë,  është edhe themel i traditës sonë. E, pjesë e kësaj tradite është rezistenca ndaj së keqes, mospranimi i saj me asnjë kusht, luftimi i saj me çdo kusht. Rezistenca e familjes Jashari është rrjedhojë edhe e kësaj tradite të hershme të rezistencës, por edhe e një vetëdijeje se çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari.

Të dashur deputetë!

Të dashur qytetarë të vendit tonë!

Më lejoni që në fund, t’i ftoj të gjithë qytetarët tanë që, sikurse në vitet e rezistencës së madhe të viteve ’90, sikurse në kohën e solidarizimit të madh me sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që e kapën pushkën për ta mbrojtur vendin, kujtesën për ta, ta shndërrojmë në shtysë për veprim të përbashkët për të mirën e vendit tonë, Republikës së Kosovës. T’u dalim zot sfidave, të cilat në këtë kohë janë të shumta. Ajo e sigurisë është më e madhja. E këto sfida e bëjnë edhe më imperativë anëtarësimin e Kosovës në NATO e në BE. Të bashkohemi përkrah aleatëve tanë e të punojmë fort për ta bërë vendin tonë edhe më të sigurt e më prosperues; për ta bërë botën më të sigurt, e më të mirë.

Të ngjashme