Osmani: Për Rezallën dhe çdo vend ku janë kryer krimet nevojitet drejtësi

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 23-vjetorin e masakrës së Rezallës.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës, ajo ka thënë se forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethoi shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vrau 98 djem e burra.

“Duke u përpjekur t`i fshehin gjurmët e krimit, autorët zhdukën 44 viktima, një pjesë e të cilëve u gjetën vite më pas në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë. E vërteta nuk mund të fshihet, ndaj do të jetë përkushtim i yni i vazhdueshëm. Për Rezallën dhe çdo vend të Kosovës ku janë kryer krime nevojitet drejtësi. Të rënët në këtë masakër nuk do të harrohen kurrë dhe bashkë me përvjetorët e lirisë do të kujtohen çdoherë”, ka theksuar Osmani.

Në këtë masakër, nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999, serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra në Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër është ndër më të mëdhatë që ndodhën gjatë luftës në Kosovë.

Me rastin e 23-vjetorit të kësaj masakre, kryeministri Albin Kurti do të bëjë të martën, homazhe në Rezallë.

Të ngjashme