Osmani pret shoqatën ‘Thirrjet e Nënave”, diskutohet për Ligjin për të pagjeturit

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

U.d. e Presidentes së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Abërie Nagavci, si dhe ministrin e drejtësisë Selim Selimi, kanë takuar përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e nënave”, nga Gjakova.

Në takim u diskutua për Ligjin për të pagjeturit, i cili nga të pranishmit në takim u konsiderua i domosdoshëm.

U.d. e Presidentes, zonja Osmani kërkoi që procesi i hartimit të Ligjit për të pagjeturit të finalizohet në një periudhë të afërt dhe i njëjti të miratohet në Kuvend. Ajo kërkoi koordinim ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që në tekstin final të këtij Ligji të përfshihen edhe rekomandimet e organizatës “Thirrjet e nënave” dhe organizatave të ngjashme që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve. Përmes këtij ligji, ndër të tjera, do të mundësohej edhe përkrahja institucionale për familjet e të pagjeturve.

Ndërkaq ministri i drejtësisë, Selim Selimi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ky Ligj të miratohet sa më parë dhe i njëjti të procedohet për miratim në Kuvend.

U.d. Presidentja Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, znj. Nagavci nga ana tjetër thanë se Kuvendi do të shtyjë përpara përsipër këtë çështje duke shpresuar që ky ligj të marrë përkrahjen e nevojshme të të gjitha grupeve politike.

Të ngjashme