Osmani promovon projektin e mbështetjes me mjete mbrojtëse kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani mori pjesë në përurimin e projektit “Furnizimi me mjete mbrojtëse kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale”, në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Projekti është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut, ndërkaq është realizuar nëpërmjet Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve (PRAK). Projekti synon t`i furnizojë me maska dhe dezinfektues këtë kategori, e cila konsiderohet me rrezikshmëri më të lartë.

Nga ky projekt mbështeten tetë strehimore në nivel vendi, shtëpitë për komunitet, shtëpitë për të moshuar, SOS fshatrat e fëmijëve dhe shfrytëzuesit e banesave sociale.

Kryetarja Osmani falënderoi ekipin e Strehimores për punën që po bënë, teksa e vlerësoi të domosdoshme zbatimin e masave anti Covid-19.

“Duke mbrojtur shëndetin e kësaj kategorie, njëkohësisht mbrojmë edhe të drejtën për jetë”, ka theksuar zonja Osmani. Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit premtoi se do të jetë zë i fuqishëm në këtë institucion në mënyrë që Strehimoret si kjo të marrin vëmendjen dhe mbështetjen e duhur institucionale.

Drejtueset e Strehimores theksuan nevojën për mbështetje më të madhe institucionale, posaçërisht nëpërmjet linjave buxhetore, me të cilat mundësohet stabilitet në punën me viktimat e dhunës në familje, si dhe kategorive të ngjashme.

U vlerësua se është e nevojshme që institucionet shtetërore të prioritizojnë integrimin e kësaj kategorie dhe të organizojnë trajnime profesionale në mënyrë që të jenë pjesë aktive e tregut të punës.

Të ngjashme