Osmani: Qeveria bashkë me Thaçin po vazhdojnë degradimin e imazhit të Kosovës

Prishtinë | 13 Gus 2018 | 16:34 | Nga

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se Qeveria e Kosovës, bashkë me Thaçin në pozitën e Presidentit, vazhdojnë ta degradojnë rëndë shërbimin e jashtëm të Kosovës, dhe e bëjnë këtë duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se nuk do mend dhe se me këto veprime, Kosova po pranon më shumë tërheqje të njohjeve se sa njohje dhe më shumë dështime se sa suksese në anëtarësime në forume shumëpalëshe.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës, bashkë me Thaçin në pozitën e Presidentit, vazhdojnë ta degradojnë rëndë shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, dhe e bejnë këtë duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Jo vetëm që kanë tejkaluar kuotën e të emëruarve politik (nga deri në 50% e specifikuar në Ligj, në mbi 80% të emëruar politik të shefave të misioneve diplomatike), por kanë vazhduar të dëmtojnë reputacionin e shërbimit të jashtëm duke shfrytëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për punësim dhe avancim të militantëve partiak të partive në pushtet dhe dëshmitarëve potencial të Gjykatës Speciale si dhe duke shfrytëzuar mjetet për lobim jo për avancim të Kosovës por për pastrim të imazhit të politikanëve të caktuar.

LDK përgjatë këtij mandati ka refuzuar të behet pjesë e shkeljeve të tilla ligjore dhe është angazhuar që përmes procedurës së kuorumit në Komisionin për Punë të Jashtme të parandalojë emërimet e tilla si dhe nëpërmjet Komisionit hetimor parlamentar të hetojë shpenzimet për lobim.

Nuk do mend, se me këto veprime, Kosova po pranon më shumë tërheqje të njohjeve se sa njohje dhe më shumë dështime se sa suksese në anëtarësime në forume shumëpalëshe. Imazhi i shërbimit të jashtëm të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i keq para syve të ndërkombëtarëve dhe dëmet që po i bëhen interesave të Kosovës përmes politizimit të skajshëm të këtij shërbimi fatkeqësisht do të jenë afatgjate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme