Osmani: Rusia e Serbia po tentojnë ta destabiliziojnë Kosovën dhe Ballkanin

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 10:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është pritur në takim nga presidentja, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

Në këtë takim, mediet janë lejuar të marrin pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për gazetarë.

Në takim, sipas komunikatës së Presidencës është biseduar për situatën aktuale politike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, pas agresionit ushtarak të Federatë Ruse ndaj Ukrainës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i domosdoshëm se kurrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryeparlamentari Xhaferi ka deklaruar se Maqedonia Veriut e mbështet pa rezervë anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ka theksuar se Rusia dhe Serbia si aleate e saj po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin.

Prandaj nismën për Ballkanin e Hapur, Presidentja Osmani e konsideron si mjet të Serbisë për shtrirje të hegjemonisë së saj në rajon. Sipas Presidentes, Rusia dhe shtetet e tjera autokratike përmes marrëveshjeve me Serbinë po përpiqen ta shtrijnë ndikimin e tyre të dëmshëm në rajon.

Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Xhaferi biseduan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje, në këtë takim u vlerësuan të mira, teksa shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut u cilësuan urë e fortë lidhëse me Kosovën.

Xhaferi gjatë ditës së djeshme ka takuar krerët më të lartë të shtetit dhe partitë opozitare në vend, me ç’rast u ofroi përkrahje dhe përvojat, siç tha ai, për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Të ngjashme