Osmani: Serbia përmes strukturave ilegale po synon destabilizimin, mosliberalizmi po e dëmton kredibilitetin e BE-së

Prishtinë | 29 Nën 2021 | 11:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj slloven, Borut Pahor, tha se ky shtet e ka mbështetur Kosovën në përpjekjet për pavarësi, siç e ka mbështetur edhe në fazën e pasluftës në përkrahje diplomatike, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se Kosova është e interesuar që bashkëpunimi me Slloveninë të thellohet edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, shkëmbimeve kulturore, agjendën e gjelbër e tema të tjera.

Osmani foli edhe për liberalizimin e vizave, që sipas saj, ky proces është vonuar për qytetarët e Kosovës dhe kjo e dëmton kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

“Ky liberalizim duhet të ndodhë sa më parë dhe s’ka arsye për hezitime e për këtë gjë dua ta falënderoj presidentin Pahor për mbështetjen e tij të fuqishme dhe t’i kërkoj përkrahje të mëtejme që të binden edhe ato pak shtete që mund të kenë hezitime sa i përket këtij procesi”.

Tutje, e para e shtetit foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive në këtë proces.

Sipas saj, Serbia s’është e interesuar që të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovë dhe se është Serbia ajo që po dëshiron një Ballkan Perëndimor të destabilizuar.

“Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, natyrisht që Kosova ka qenë pala konstruktive në këtë proces, por përshtypja jonë është që Serbia s’është e interesuar që të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe në këtë proces, po e përsëris që për Kosovën, ashtu siç është përmendur edhe nga Biden, njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër të këtij procesi”.

“Për fat të keq, fqiu jonë verior nuk e dëshiron një Ballkan Perëndimor stabil dhe në paqe, prandaj po përdor retorikë dhe veprime të ndryshme të cilat po e destabilizojnë rajonin tonë”.

Osmani kërkoi nga BE-ja që të jetë e qartë në raport me Serbinë dhe të kërkoj që Serbia ta ndërpret retoriken e saj nxitëse.

“Për ketë shpresoj që BE do të jetë e qartë në raport me Serbinë dhe të kërkoj që ta ndërpret edhe retoriken nxitëse por edhe veprimet destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën por edhe me Bosnjën, Malin e Zi e shtete të tjera”.

Osmani ka folur për strukturat paralele serbe në veri të vendit.

Ajo tha se Serbia po vazhdon që ta destabilizojë Kosovën përmes këtyre strukturave, dhe se rritja e ndikimit rus paraqet kërcënim për destabilizim të mëtejmë të rajonit.

“Për fat të keq, Serbia po vazhdon që përmes strukturave ilegale në veri të vendit tonë të destabilizojë Kosovën. Po ashtu, rritja e ndikimit rus paraqet një kërcënim për destabilizimit të mëtejmë të rajonit, sepse kjo rritje e ndikimit rus asnjëherë s’ka pasur qëllim të mirë, por ka qëllim që të luftojë sistemet e bazuara në vlera, që janë NATO dhe BE”.

Ajo tha se për t’i luftuar këto tendenca destabilizuese, Kosova ka nevojë për përkrahjen e miqve.

Sipas Osmanit, e njeh mirë rajonin dhe faktin se çka ndodhë në qoftë se nuk ndërhyhet me kohë për t’i ndalë tendencat autokratike e destabilizuese.

“Serbia vazhdon t’i financoj këto struktura ilegale të cilat po krijojnë probleme për shtetin tonë dhe po terrorizojnë popullatën atje. S’ka asgjë më të rëndësishme se mbrojtja e qytetarëve”.

Të ngjashme