Osmani: SHBA-ja s’do të kërkojë që të shkojmë përpara me idenë e shkëmbimit të territoreve

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 22:01 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, është shprehur shumë e bindur se SHBA-të nuk kanë kërkuar dhe nuk do të kërkojnë asnjëherë që të jetësojnë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam e bindur që SHBA-të nuk do të kërkojnë që të shkojmë përpara me idenë e shkëmbimit të territoreve ose ide të tjera të rrezikshme të cilat janë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për gjithë stabilitetin rajonal”.

“As në këto dy vjet nuk kanë qenë SHBA-të ato që kanë kërkuar që tema e kufijve të hapet në dialogun Kosovë-Serbi. Këtë e kanë dëshmuar deklaratat e Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë që është përfaqësuese dhe zëri i vetëm i këtij shteti në Kosovë”.

“Pavarësisht tentimeve të disave që ta shtyjnë përpara këtë ide duke e arsyetuar kinse është e shtyrë nga SHBA-të, jam e bindur se ata nuk do të vijnë me një ide të tillë, por natyrisht do të kërkojnë që palët të kenë fleksibilitet në këtë proces”.

Ajo në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se me Serbinë duhet të dialogohet mbi bazën e argumenteve.

“Në radhë të parë, edhe Brukselin, edhe SHBA-të, por në fund edhe Serbinë me të cilën do të dialogojmë t’i bindim me fuqinë e argumenteve. Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë kontekstin e raporteve Kosovë-Serbi sepse këto shtatë vjet vazhdimisht është harruar se cila është arsyeja për të cilën kemi hyrë në këtë proces”.

“Qëllimi themelor pse ka filluar ky dialog ka qenë që të diskutohen çështje praktike që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Por, gjatë rrugës ka dalë komplet jashtë binarëve”.

Osmani e ka quajtur presidentin Hashim Thaçi si aleat të Serbisë për promovimin e kësaj ideje.

“Kemi ardhë deri të një pikë ku, për fat të keq, Serbia e ka gjetur një aleat brenda Kosovës  – presidentin e vendit – i cili ka lejuar që të shtetësia e Kosovës të vihet në pikëpyetje duke lejuar që tema e kufijve të vendoset në tavolinë”.

“Tani e tutje, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministrja e vendit, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të tentojmë të krijojmë konsensus nacional për një temë dhe proces kaq jetik për vendin”.

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja është shprehur shumë e bindur se SHBA-të nuk do të kërkojnë që shkëmbimi i territoreve të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam e bindur që një gjë e tillë nuk do të kërkohet, por edhe sikur të kërkohej, Kosova mund të pranojë vetëm plane ose ide që janë në interes të shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mbi të gjitha janë në interes të stabilitetit rajonal”.

Të ngjashme