Osmani: Sot ndihemi krenarë me urtinë dhe përkushtimin e pjesëmarrësve të Junikut

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë sot homazhe pranë lapidarit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të Junikut.

Në një fjalë rasti, ajo ka thënë se sot ndjehet krenare me urtinë dhe përkushtimin e pjesëmarrësve të Junikut, njofton Klan Kosova.

“Kuvendi i Junikut përmban një prej momenteve më me peshë të historisë sonë kombëtare. Të prirë nga vetëdija për lirinë, u mblodhën të gjithë bashkë në këtë vend kullash për ta hartuar platformën e parë për Shqipërinë”.

“Kuvendi i Junikut paraqet platfromë të fuqishme politike e kulturore për shtetin shqiptar. Shënoi pikën më të lartë të vetëdijes politike për kombin tonë”.

“Në rrafshin kulturor, kuvendi konfirmoi orentimin perëndimor të shqiptarëve. Kuvendi përveçse artikuloi çartë kërkesat e popullit për pavarësi, ai po ashtu vulosi edhe orentimin për aleancë me perëndimin”.

“Sot ne ndihemi krenar me urtinë dhe përkushtimin pjesëmarrësve të Junikut”.

Kujtojmë se Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik.

Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për tu bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.

Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se “kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”.

Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.

Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.

Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.

Të ngjashme