Osmani takoi drejtoreshën për Evropë Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Prishtinë | 09 Kor 2021 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ambasadoren Susanne Schütz, Drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqi, OSBE dhe Këshill të Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, e cila e përgëzoi për detyrën. Ambasadorja Schütz theksoi se lidershipi i institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit paraqesin një kthesë për zhvillime të reja.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme historike të Gjermanisë ndaj Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani vlerësoi se Gjermania mbetet një prej partnerëve dhe aleatëve më strategjik për vendin tonë. Tutje, Presidentja Osmani theksoi që institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen në hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe fuqizimin e atyre ekzistues. Ambasadorja Schütz ritheksoi se Gjermania është mbështetëse për liberalizim të vizave dhe anëtarësim të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në veçanti, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për ndihmën e Gjermanisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur më dhunë në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se zbardhja e fatit të tyre dhe vendosja e drejtësisë janë parakusht për paqe të qëndrueshme dhe sukses në procesin e dialogut. Presidentja Osmani theksoi që dialogu duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes përfundimtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme