Osmani takoi ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Augusto Santos Silva

Prishtinë | 29 Tet 2021 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është takuar me ministrin e Jashtëm, Augusto Santos Silva.

Sipas Presidentes Osmani, prania e Kosovës më ambasadë në këtë shtet është në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy popujve.

Në takim me ministrin Santos Silva, Presidentja Osmani ka folur edhe për të arriturat e deritashme të Kosovës, duke potencuar synimin për forcimin e sundimit të ligjit. Gjithashtu, Presidentja ka përmendur edhe reformat gjithëpërfshirëse në ekonomi. Ndërkaq sa i përket sfidave, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përballet me izolim, shkaku i mosliberalizimit të vizave, duke potencuar faktin se tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se ai domosdoshmërisht duhet të finalizohet me marrëveshje për njohje reciproke. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Portugalisë në rrugën evropiane të Kosovës, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në bisedë me ministrin e Jashtëm portugez, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar ta finalizojë nënshkrimin e marrëveshjes së parë ekonomike bilaterale, e cila ka të bëjë me heqjen e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se të dy shtetet mund të bashkëpunojnë në sferën e mbrojtjes, ekonomisë, arsimit, turizmit, kulturës, sportit apo të trajnimeve profesionale.


Të ngjashme