Osmani takon kryeparlamentarin austriak: Dialogu duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke

Prishtinë | 17 Nën 2022 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare në Austri, ku është takuar me kryetarin e parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e raporteve bilaterale.

“Kosova i është mirënjohëse Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani.

Me kryetarin e Parlamentit Austriak, Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar në për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.

Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e falënderoi presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë.

Të ngjashme