Osmani takon përfaqësueset e “Thirrjet e Nënave”: Ua kemi borxh drejtësinë

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani bashkë me nënkryetaren e Kuvendit Arbërie Nagavcin kanë takuar përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Osmani ka thënë se kur “kur morën të prezantohen, ato s’identifikoheshin me atë se kush janë, por me ate se kush ju mungon”.

“Në njërën anë, njëra s’kishte djalin; një tjetër s’kishte burrin, dy djemtë, dhe tre kunetët. Tjetra ishte pa dy djemtë; e katërta s’kishte burrin dhe kunetët. Në anën time tjetër, njëra kishte humbur burrin dhe dy djemë; tjetra burrin”.

Ajo përmes një postimi në Facebook tha se privimi nga afërsia fizike me më të dashurit e tyre i kishte afruar shpirtërisht më afër tyre.

“Ato kishin pushuar të ekzistonin si njerëz të zakonshëm me ëndrra dhe frustrime; tash ndiheshin veç si mjet për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dy herë viktima, mendova. Njëherë viktima të privimit nga më të dashurit e tyre, e njëherë viktima të barrës së papërballueshme që kanë mbi supe për të sjellë drejtësinë në vend për ta”.

Kryeparlamentarja ka thënë se institucionet e kanë për borxh që të angazhohen për vënie të drejtësisë në vend.

“Dhimbjen për të dashurit do ta kenë gjithmonë, por nëse ne ua heqim barrën e përgjegjësisë për vënie të drejtësisë, ato do të ndihen më të lehtësuara. Ne si institucione duhet t’ua heqim këtë barrë. Ua kemi borxh”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme