Osmani uron ShBA-të për 4 korrikun me mesazhin e presidentit historik Rugova: Miqësia jonë është e përhershme

Prishtinë | 04 Kor 2021 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar popullin amerikan me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Osmani ka shkruar se historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.

“Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme””, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë.

Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.

Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.

Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme”.

Të ngjashme