Osmani: Vendim për Manastirin e Deçanit bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit

Prishtinë | 07 Tet 2022 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë, më 6 tetor.

Osmani, në një intervistë për REL tregon se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e “mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Ajo flet edhe për dialogun me Serbinë, ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, thotë se është “optimiste e kujdesshme”.

Sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani thotë se ai vendim bazohet “në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit” dhe shton se Kosova duhet të jetë “e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë”.

Ndodheni në Pragë, ku keni marrë pjesë në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, pjesë e së cilës është ftuar të bëhet edhe Kosova. Çfarë përfiton Kosova nga ky komunitet?

Osmani: Kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit evropian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta. Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet.

Është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent. Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian.

Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare – sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës… sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh.

Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian.

E përmendët liberalizimin e vizave. Në BE duket se tani ka një disponim pozitiv për ta çuar përpara këtë proces. A keni marrë garanci se nuk do të bllokohet?

Osmani: Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues. Nuk ka pasur asnjë lider të vetëm që ka shprehur ndonjë shqetësim, apo qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë – ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj – por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi.

Edhe në takimet e djeshme që kisha – diku me mbi 25 liderë, shumë prej të cilëve janë edhe në BE dhe kanë rol determinues për çështjen e vizave – nga të gjithë kam marrë përkrahjen e plotë për çështjen e liberalizimit të vizave. Natyrisht, ka pasur shtete që e kanë pritur konfirmimin e ri nga ana e Komisionit Evropian. Ky komision e ka rikonfirmuar çështjen e përmbushjes së kritereve dje.

Përveçse ka konfirmuar që kriteret janë përmbushur që nga viti 2018, ka treguar se çfarë reformash të rëndësishme janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës këtë një vit e gjysmë si një, do të thosha, shtysë pozitive për shtetet anëtare. Të gjithë me të cilët kam biseduar, që kanë pasur hezitime më herët, e kanë përmendur pikërisht çështjen e reformave këtë një vit e gjysmë si faktin që i ka bindur ata që tani ta përkrahin Kosovën.

E di se janë disa hapa për t’u kryer [deri te hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave]. Ju, jeni optimiste se do të finalizohet gjatë Presidencës çeke [të BE-së]?

Osmani: Jam optimiste e kujdesshme, sepse e dimë që nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë.

Është me rëndësi që takimi më 13 tetor të shkojë mirë dhe pastaj hapat tjerë, që nënkuptojnë edhe miratimin politik të vendimit të 13 tetorit – të grupit punues për vizat – të ndodhin sa më parë.

Presidenca çeke është jashtëzakonisht përkrahëse. Kjo është shumë me rëndësi, që përveç institucioneve të BE-së, shteti që ka presidencën, të jetë një shtet që e shtyn përpara, me shumë zell, një temë të caktuar, që të bëhet pjesë e agjendës së vendimmarrjes. Këtë po e bën Presidenca çeke. Dua të falënderoj kryeministrin [çek Petr] Fiala dhe ministrin e Jashtëm, Jan Lipavsky, por edhe ministrat e tjerë që janë të angazhuar, zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar. Kanë një përkrahje të jashtëzakonshme në raport me çështjen e liberalizimit të vizave.

E përmendët që keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë takimin trepalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Tashmë e keni bërë të ditur se temë e diskutimeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë. A ka diçka konkrete që ju është kërkuar nga Scholz dhe Macron?

Osmani: Natyrshëm që kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet.

Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë.

Pra, angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet.

Keni thënë disa herë se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Duket se Serbia, tash për tash, nuk pajtohet me një gjë të tillë. Çfarë do të ndodhte me atë rast?

Osmani: Serbia nuk pajtohet, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga synimi ynë që dialog të përmbyllet me njohje reciproke. Natyrisht që përgjatë kësaj rruge do të ketë shumë çështje të tjera, të cilat mund të zgjidhen ndërkohë.

Një prej tyre ka qenë çështja e energjisë, siç e dini, marrëveshje kjo që u nënshkrua (apo udhërrëfyes në qoftë se mund ta quajmë), para disa muajsh, por për fat të keq, Serbia nuk po e zbaton, përkundër obligimeve të qarta që dalin nga ky udhërrëfyes.

Pastaj një çështje tjetër që mund të sqarohet ndërkohë është çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilën ne po e shtyjmë përpara, që do të duhej urgjentisht të nënshkruhej sepse krijon pastaj obligime për Serbinë që t’i hapë arkivat dhe të tregojë se ku janë mbi 1.600 të zhdukur me dhunë, që akoma nuk i kemi gjetur dhe familjet e tyre jetojnë në ankth qe 23 vjet.

Ka edhe çështje të tjera që ne i kemi propozuar, siç është një pakt për mosagresion apo që do ta parandalonte Serbinë ta sulmojë Kosovën.

Pra, ka çështje të cilat mund të përmbyllen edhe më herët, sepse janë në interes të Kosovës, janë në interes të paqes dhe stabilitetit.

Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kërkojnë Kosovës formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe. A do ta formoni?

Osmani: Partnerët ndërkombëtarë, natyrisht, që si parim të përgjithshëm e kanë që çfarëdo që është nënshkruar në Bruksel të zbatohet dhe ju e dini që në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje, por në vitin 2015 ka pasur një marrëveshje dedikuar në mënyrë të veçantë Asociacionit të komunave serbe. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe aty është e qartë që diku 23 nene të Kushtetutës sonë janë shkelur me atë që është dakorduar në Bruksel.

Prandaj, si udhëheqës të Republikës së Kosovës ne i obligohemi Kushtetutës sonë.

A po ndërmerrni hapa të veproni në bazë të kërkesave të Kushtetueses?

 Osmani: Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion, i cili krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Prandaj, pak a shumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore.

A po punoni ju që këtë marrëveshje t’ua përshtatni kërkesave të Gjykatës Kushtetuese?

Osmani: Ajo çfarë kërkon Gjykata Kushtetuese tashmë ekziston në Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale, pra nuk është që Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

Pse nuk formohet Asociacioni, atëherë?

Osmani: Sepse vetë komunat nuk po e ndërmarrin një iniciativë të tillë.

Ju e mbështesni formimin e Asociacionit?

Osmani: Unë mbështes çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ.

Atë të drejtë e kanë me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili ekziston qysh nga themelimi i Republikës së Kosovës, pra është një prej ligjeve që buron nga Pakoja e Ahtisaarit. Atë të drejtë e kanë, atë që ua jep Gjykata Kushtetuese, atë tashmë e kanë. Pra, nuk kërkohen hapa shtesë nga Republika e Kosovës, sepse ata hapa tashmë janë ndërmarrë dhe janë përligjur. Janë pjesë e ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës.

Në qoftë se dikush dëshiron që t’i bashkojë komunat rreth agjendave të caktuara për të shtyrë përpara interesa, për të lobuar për ato interesa ashtu siç është edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, pra e regjistruar si një OJQ, ato gjëra nuk iu ndalohen.

Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë.

Në bazë të kësaj që thoni, nuk ka asnjë pengesë për formimin e Asociacionit?

Osmani: Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që komunat mund të bashkohen në OJQ për të shtyrë përpara, për të lobuar për interesa të caktuara, por pa kompetenca ekzekutive. Pra, ligji ekziston dhe atë ligj nuk e kemi miratuar ne. Ai ligj ka ekzistuar për shumë vite me radhë dhe i parasheh pikërisht ato që i ka potencuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese.

Meqë jemi te Gjykata Kushtetuese, si e komentoni faktin që Kosova nuk është duke e zbatuar vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit?

Osmani: Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese.

Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-‘99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi.

Megjithatë, ekziston një vendim i instancës më të lartë gjyqësore. Atëherë, si pritet të shkojë, si pritet të zgjidhet kjo çështje?

Osmani: Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë.

Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës. Askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër kishave ortodokse. Ne e shohim multietnicitetin dhe shumëllojshmërinë e religjioneve në Kosovë si vlerë, si pasuri. Askush nuk e sulmon Kishën Ortodokse Serbe. Përkundrazi, Kosova ka ligje për zonat e veçanta ku kishat dhe pronat e tyre i konsideron si zona të mbrojtura – ligje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të Evropës. Pra, ne kemi shkuar përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare sa i përket mbrojtjes që ofrojmë për kishat dhe Kishën Ortodokse në Republikën e Kosovës. Pra, është vlerë.

Burimi i mbrojtjes së atyre kishave, në qoftë se shkojmë mbrapa në histori, është pikërisht te populli shqiptar. Shqiptarët i kanë mbrojtur këto kisha, përfshirë Manastirin e Deçanit në të kaluarën. Pra, ato nuk janë në rrezik, ato mbrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in. Nuk i sulmon askush, askush nuk ndërton në pronat e tyre. Pra, nuk ka asnjë arsye askush për t’u brengosur për sigurinë e kishave, qofshin ato ortodokse apo katolike, apo për sigurinë e xhamive apo çfarëdo monumenti tjetër kulturor apo fetar në Republikën e Kosovës. Në fakt, Kosova është shembull për mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare.

SHBA-ja e mbështet Ballkanin e Hapur, Bashkimi Evropian e mbështetë. Pse Kosova nuk është pjesë e tij?

Osmani: Unë nuk do të thosha me aq siguri që SHBA-ja apo Bashkimi Evropian e mbështesin Ballkanin e Hapur. Ne e kemi pasur një takim me sekretarin e Shtetit [Antony Blinken] dhe kjo çështje as nuk është ngritur as nuk është kërkuar nga ana jonë. Në anën tjetër, në deklarata të disa zyrtarëve të Departamentit të Shtetit është thënë që parakusht për mbështetjen e plotë të kësaj iniciative nga ana e Shteteve të Bashkuara është që ajo t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Dhe, ju e dini, është një iniciativë me tri shtete, jo me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, parakushti themelor i SHBA-së, pra gjithëpërfshirja, akoma nuk është përmbushur. Të njëjtën gjë e kemi dëgjuar edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pra, nuk ka zyrtar të lartë të BE-së që neve na ka kërkuar që të hyjmë në Ballkanin e Hapur.

Përkundrazi, në takimet tona të mbyllura shprehet një dozë e madhe e skepticizmit nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në raport me këtë iniciativë.

Ne kemi shprehur shqetësimet tona që kanë të bëjnë me mungesën e gjithëpërfshirjes që nga lindja e iniciativës, që është parakusht, dhe mungesën e trajtimit të barabartë të të gjithëve. Kosova nuk hyn në nisma, në të cilat nuk trajtohet si e barabartë. Dhe, unë besoj që në ato nisma në të cilat Serbia ka rol kyç, ne as nuk mund të presim që të trajtohemi si të tillë.

Shqetësimet tjera kanë të bëjnë me çështje të integrimit evropian që mund të keqpërdoren si një dhomë pritjeje afatgjate. Pastaj kemi shqetësime nga aspekti i ekonomisë dhe i sigurisë dhe të gjitha këto ua kemi bërë të ditura të gjithë partnerëve tanë dhe ata e respektojnë këtë qëndrim. /rel/

Të ngjashme