Osmani: Vetingu është parakusht për funksionim të sistemit gjyqësor

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e Suedisë në Republikën e Kosovës, Karin Hernmarck Ahliny.

Ajo ka falënderuar ambasadoren Hernmarck Ahliny për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit suedez për Kosovën, duke veçuar angazhimin e Suedisë në ofrimin e ndihmës përgjatë pandemisë COVID-19.

Temë qendrore e këtij takimi ishte procesi i vetingut në sistemin gjyqësor. Znj. Osmani potencoi se sundimi i ligjit është parakushti thelbësor për funksionimin e mirëfilltë të shtetit. Në këtë kontekst, zonja Osmani potencoi rëndësinë e rishikimit funksional të sistemit gjyqësor, ku do të përfshihej edhe procesi i vetingut. Më tej, ajo theksoi se në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, në bashkëpunim me partner vendor e ndërkombëtar, do të përkrahë  çdo nismë lidhur me vetingun në drejtësi.

Në këtë takim u diskutua edhe për çështje tjera që ndërlidhen me funksionimin e Kuvendit të Kosovës si dhe aktualitetin politik në vend. ​

Të ngjashme