Osmani: Vlerësoj lart angazhimin e infermierëve gjatë pandemisë

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, sot priti përfaqësuesit e Odës së Infermierëve të Kosovës. Ajo e vlerësoi lart angazhimin deri në vetëmohim të infermierëve të Kosovës, si dhe të atyre që u angazhuan si infermierë vullnetarë në betejën e përbashkët për të mposhtur pandeminë Covid-19.

 “Puna e infermierëve jo çdoherë vlerësohet në nivelin e duhur, sidomos kur merret parasysh niveli i sakrificës që ju bëni dhe rëndësia që ju keni për mbrojtjen e shëndetit tonë. E rritur nga një nënë e cila me profesion është infermiere, kam pasur rastin që të shoh nga afër sfidat me të cilat ju ballafaqoheni çdo ditë. Tek unë do të gjeni çdo herë përkrahje dhe do të kujdesem që kërkesat tuaja të adresohen me prioritet, ashtu siç e meritoni”, tha kryetarja Osmani. 

“Jam e bindur që për të pasur zhvillim të mirëfilltë ekonomik, vendi ynë duhet të investojë mbi të gjitha në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit. Vetëm kështu mund të shënojmë progres dhe ngritje të dinjitetshme të mirëqenies së përgjithshme”, shtoi më tej ajo.

Përfaqësuesit e Odës së Infermierëve iu drejtuan kryetares Osmani me kërkesë për rishikim të Ligjit të Pagave. Ata theksuan nevojën për miratimin e një ligji për infermieri, që do të trajtonte në mënyrë specifike nevojat e infermierëve në vend. Po kështu, ata shtruan edhe kërkesën për definimin e normave dhe të standardeve për përcaktimin e numrit të infermierëve në bazë të nevojave të identifikuara në terren.

Në fund, Kryetarja Osmani premtoi që do t’u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të ngritura dhe konfirmoi se Kuvendi do t’i ketë gjithmonë dyert e hapura për të adresuar nevojat e infermierëve.​

Të ngjashme