Osmanit e Kurtit u rritet paga bazë në mbi 2 mijë euro me projektligjin e ri, këto janë pagat e reja për administratën publike

Prishtinë | 18 Gus 2022 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës tashmë e ka hartuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik. Në këtë projektligj të ri të cilin e ka siguruar Demokracia.com, shihen ndryshime të mëdha në koeficientin e pagave për krerët e shtetit, të cilëve u rritet paga bazë.

Qeveria Kurti është përkujdesur që t’i rrisë pagat bazë për vete dhe udhëheqësit e tjerë shtetërorë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, koeficientin më të lartë do ta ketë presidenti i vendit, i cili do të jetë 18, i pasuar më pas nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me 17.5.

Duke e bërë përllogaritjen me 120 euro sa është thënë publikisht deri më tash se është vlera e një koeficienti, atëherë i bie që presidentja Vjosa Osmani ta ketë pagën bazë 2 mijë e 160 euro, pa i llogaritur edhe shtesat që mund t’i marrë brenda një muaji.

Me koeficient 17 është paraparë të jetë paga bazë e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, që e përllogaritur me vlerën e deritashme të koeficientit prej 120 euro, i bie që Glauk Konjufca e Albin Kurti pagën bazë ta kenë nga 2 mijë e 40 euro, pa i llogaritur gjithashtu edhe shtesat e tjera që do të mund t’i marrin brenda muajit.

Sipas projektligjit të ri për paga, tani e tutje edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe deputetët do të kenë pagë bazë më të lartë.

Deputetët dhe ministrat koeficientin do ta kenë 16.4 dhe paga bazë mujore e tyre, pa shtesa, parashihet të jetë 1 mijë e 968 euro, raporton Demokracia.com.

Ndryshime janë bërë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas projektligjit të ri, pas hyrjes në fuqi të tij edhe komandanti i FSK-së do të ketë rritje të pagës dhe koeficienti i tij do të jetë 15.

Ndërkaq, Drejtori i Policisë me këtë projektligj do ta ketë koeficientin e pagës 14.5, njësoj sikurse edhe Drejtori i Doganës.

Qeveria Kurti është përkujdesur edhe për zyrtarët dhe nëpunësit e kabineteve politike.

Me projektligjin e ri, tashmë shefi dhe zëvendësshefi i stafit të presidentit, koeficientin do ta ketë 13, kurse shefi i stafit të kryeministrit dhe Kuvendit të Kosovës, koeficientin do ta kenë 12.4.

Po ashtu, secili prej tyre do të mund të marrë edhe shtesa tjera mbi pagë, varësisht prej angazhimit që kanë.

Demokracia.com sjell dokumentet e plota të Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, Memorandumit Shpjegues dhe Shtojcën me Koeficientë për të gjithë zyrtarët publikë.

Shtojca e Projektligjit për Pagat me koeficientët për të gjithë zyrtarët publikë

Projektligji për Pagat në Sektorin Publik

Memorandumi Shpjegues për Projektligjin e Pagave në Sektorin Publik

Të ngjashme