OVL e UÇK-së kërkon takim me Kurtin: Qeveria po injoron të gjitha kërkesat tona

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po kërkon takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi siç thonë ata Qeveria e Kosovës po i injoron organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Përmes një komunikate për medie ata kanë bërë të ditur se në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të tjera u diskutuan edhe çështja e procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe OVL të UÇK-së duke e konsideruar atë si të padrejtë dhe qëndron prapa qëndrimeve të dhëna vite më parë sa i përket pseudodrejtësisë ndërkombëtare.

“OVL e UÇK-së, sa i përket çështjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës, diskutojë edhe injorimin që po ua bënë Qeveria e Kosovës kërkesave të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, qoftë për rritje të pensioneve të këtyre kategorive, qoftë për aktivitete të zyreve, qoftë për rehabilitim në banja, qoftë për shkak të problemeve teknike që kanë këto kategori e nuk mund të pajisen me vërtetime nga zyra për kategoritë e dala nga lufta etj, injorim ky që as nuk po diskutohet, për shkak të mos gatishmërisë së Kryeministrit Kurti për t’u takuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje, sa i përket kësaj, u vendos që të kërkohet edhe një takim urgjent me kryeministrin Kurti, e nëse nuk realizohet, sipas komunikatës do të shqyrtohen masa të tjera të reagimit.

Po ashtu në këtë mbledhje është diskutuar edhe rreth aktiviteteve që do të bëhen për festat e nëntorit.

Të ngjashme