OVLUÇK, thirrje politikanëve: Të jeni të bashkuar para takimit në Washington, kujtojani Serbisë vrasjet dhe krimet që kanë kryer

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u ka bërë thirrje politikanëve kosovarë që të jenë të bashkuar para takimit në Washington, dhe t’ia kujtojnë Serbisë vrasjet e krimet që kanë bërë në luftën e fundit në Kosovë.

OVLUÇK, thekson se udhëheqësit e Republikës së Kosovës duhet të bashkohen dhe të kenë qëndrime të njëjta përpara takimit me Serbinë, transmeton Telegrafi.

“Sot më shumë se kurrë udhëheqësit e Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha partive politike duhet të bashkohen dhe të kenë qëndrime të njëjta kur jemi përpara takimit me Serbinë, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve Kosovës ne veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bëjmë thirrje spektrit politikë të Kosovës të bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe të jenë shembull i unitetit në vend dhe në rajon, vetëm të bashkuar mund të ecim tutje dhe të kemi zgjidhje sa me të mirë për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Më tej, OVLUÇK pohon se tani politikanët kosovarë kanë mundësinë e tyre të tregojnë se ia duan të mirën Kosovës.

“Ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Washington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë”, vijon njoftimi.

Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen më datën 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Të ngjashme