“Pa na marrë neve, nuk mund ta arrestoni Albinin”, Jasharaj thotë se e ka mbrojtur Kurtin në Dukagjin

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj, përmes një letre që u ka dërguar mediave, ka folur për përvojat e tij që i ka pasur në tubime e protesta me kreun e tanishëm të Qeverisë.

Këto, Jasharaj, ka dashur t’ua tregojë zyrtarëve të LVV-së që, sipas tij, ia ofenduan protestën e 8 prillit.

Tellallë të Kurtit, i ka quajtur Jasharaj disa prej zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që, sipas tij, e ofenduan protestën e mësimdhënësve, të mbajtur më 8 prill.

Ndërsa, sindikalisti më i famshëm në Kosovë, i akuzuar shumë herë për lidhje me PAN Qeverinë, ka zgjedhur të rrëfejë disa përvoja të aktivizimit të tij në kauzat e LVV-së dhe Kurtit.

“Këtyre që po më shajnë e ofendojnë për hatër të Kurtit po u tregoj e para tyre unë isha bashkë me Bajram Binakun , prof. Avdi Shkrelin , vëllain tim Ukshinin, Frashër Rracin e me kërkesën e Dardan Mulliqit që e prisnim në takime Albinin në Pejë dhe duke u bazuar në ato që i thoshte ndeheshim njëjtë në përpjekjet për ta bashkuar kombin , se paku në aspektin arsimor e kulturor”, ka shkruar Jasharaj në letrën e tij.

Ai thotë se e ka bllokuar rrugën bashkë me disa shoqata, për ta kundërshtuar demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Thotë se në një tubim ia kishin bërë me dije Qeverisë, së pa i marrë ata, nuk do të mund ta arrestonin prijësin e LVV-së.

“Unë bashkë me djalin e vetëm merrja pjesë edhe në protestat e VV-së në Pejë, madje me anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë –Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” e me banorë të Dukagjinit e bllokuam edhe rrugën që shpie për në Mal të Zi duke kundërshtuar kufirin që po i krijohej Kosovës. Kurti i di këto dhe mund t’i ketë harruar me qëllim asht si mund ta këtë harrur Tryezën e mbajtur në konakun e vëllezërve Lukaj , në të cilin pjesëmarrës ishte edhe Albini dhe mbajti fjalim të zjarrtë për trojet etnike dhe ne pjesëmarrësit qëndruam të mobilizuar dhe ia bëmë të ditur policisë se pa na marrë të gjithë neve nuk do ta arrestonte Albinin, që na dukej i madh e figurë emblemë, atëherë, e që tani më duket figurë e kolltukëve”, ka shkruar Jashari.

Të ngjashme