Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që nuk ka mbetur edhe shumë kohë për të parë ndonjë ndryshim të madh tek kandidatët deri në ditën e balotazhit që do të mbahet më 14 nëntor.
“Kemi parë një aktivitet intensiv të partive politike dhe të kandidatëve përkatës, të cilën unë e çmoj dhe është pozitive që janë angazhuar kaq fort edhe kandidatët edhe mbështetësit e tyre nga partitë përkatëse politike, sepse mendoj që ata e shohin këtë garë dhe këtë luftë si gatishmëri për me marr përgjegjësi dhe nuk e shoh patjetër si një përpjekje për të marrë pushtet”.
Paçarizi në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që tash kandidatët dhe partitë politike po i duken më të gatshëm për të marrë përgjegjësi.
“Tash partitë politike dhe kandidatët po më duket se janë më të vetdijësuar dhe më të gatshëm për t’i marrë ato përgjegjësi. Se a do të ndodhë kështu në tri ditët e ardhshme, varet edhe nga ajo nëse do të arrijnë të bëjnë koalicione. Mendoj që kanë dështuar me bo koalicione të hapura. Sikur të kishin bo koalicione të hapura deri tash kjo do t’i jepte kuptim dhe dimension të ri balotazhit”.