Paçarizi: Taksa duhet të hiqet, reciprociteti hap i pamatur mirë

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 16:38 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimi i Qeverisë Kurti për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit është hap i rëndësishëm për raportet e Kosovës me shtetet mike. Por ky vendim është më shumë elektoral sesa qeverisës.

Kështu thotë për Ekonomia Online, analisti Politik Rrahman Paçarizi, i cili po e mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës me masë reciprociteti me Serbinë.

‘’Unë mendoj se taksa duhet të hiqet, meqë është kërkesë e SHBA-së dhe vendeve të BE-së. Kosova duhet të bëhet pjesë e këtij procesi nga i cili do të përfitojë. Mirëpo, pranimi shpallja e vënies së reciprocitetit mendoj se është një veprim i pamatur dhe i pamenduar mirë. Më shumë do t’i shkonte një retorike elektorale sesa kryeministrit të Kosovës. Në vend të shpalljes së reciprociteti , mendoj që Albin Kurti thjesht duhet të heqë taksën në momentin që ai e vlerëson që është e përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë, dhe pastaj reciprociteti duhet të jetësohet. Nëse Serbia vë një barrierë të caktuar për Kosovën, Kosova duhet t’ia kthejë me të njëjtën masë’’, thotë ai.

Vendosjen e taksës 100 për qind nga qeveria Haradinaj, Paçarizi po e konsideron si hap të ngutshëm dhe i cili i ka shkaktuar dëme vendit.

 ‘’Tarifa prej 100% për mallrat që vijnë nga Serbia si vendim politik ka qenë i ngutshëm por megjithatë e ka rritur efektin e vet. sSepse kjo taksë po vazhdon mund të bëhet e rrezikshme për Kosovën , sepse ka një të dërguar presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, e që është ambasadori Grenell, i cili nuk hyn në mesin e diplomatëve tipik dhe i shtyn çështjet përpara me ose pa vullnetin e palëve në mënyra të caktuara dhe kjo është parë tek Linja Ajrore ndërmjet Kosovë dhe Serbisë dhe dy marrëveshjet për hekurudhat dhe autostradat”, thotë ai.

Pacarizi komentoi edhe fjalimin e Kurtit në takimin në Mynhen. Ai thotë se kërkesat e kryeministrit Kurti që të dialogohet pa harta dhe pa shkëmbim territoresh janë goditje për presidentin Thaçi, por edhe Vuçiqin.

 ‘’Tani tri parimet e Kurtit në Mynhen janë parime normale, parimi i parë se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog mendoj se është konsumuar mjaftueshëm sepse ka pasur njëfarë dialogu. Dialog pa harta tashmë është një deklaratë e vonuar, sepse Richard Grenell ka thënë se lajmet që SHBA-të e kanë të hapur shkëmbimin e territoreve janë të rrejshme, sepse nuk do të ketë shkëmbim të territoreve. Ndërsa harta pa president është kontradiktor me të parin, sepse parimi i dytë ishte që të mos ketë dialog me harta. Nëse nuk ka harta atëherë pse duhet të merret me presidentët, ishte një goditje ndaj presidentit Thaçi dhe Vuçiq”, thotë ai.

Veprimet e fundit të kryeministrit Kurti, qoftë pjesëmarrja e organizuar nga Presidenti Hashim Thaçi , qoftë shkuarja për homazhe te varri i Ibrahim Rugovës apo ngritja e flamurit të Kosovës, i konsideron çështje të rëndësishëm, për vet Kurtin dhe për raportet ndër institucionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 “Përbën një element të rëndësishëm, për vet zotin Kurti dhe për raportet ndër institucionale në Kosovë. Sepse me këto veprime Kurti i ka mbyllur ato temat e vogla për të cilat bëhej shumë zhurmë. Tashmë përmes kësaj janë krijuar parakushtet ndërmjet institucioneve të Kosovës, në proceset e rëndësishme sa i përket edhe dialogut me Serbinë”, thotë ai.

Ai thotë se veprimet e Kurtit nuk kanë se si të shihen ndryshe vetëm si veprime të një kryeminstri,  i cili ka ardhur pas një opozitarizmi të gjatë.

‘’Ndryshimet e Kurtit i shoh pozitive në raport me Kosovën, nëse Kurti duhet të ketë telashe për shkak të ndryshimeve të tij, do ti ketë me simpatizuesit e Vetëvendosjes, vetëm ata mund të thonë nëse Kurti po i përmbush premtimet dhe ndryshimet sa i përket partisë së tij. Veprimet e Kurtit nuk kanë se si të shihen ndryshe vetëm si veprime të një kryeminstri i cili ka ardhur pas një opozitarizmi të gjatë’’, thotë ai.

Të ngjashme