Paçarizi: VV-ja dhe LDK-ja mund të përmbyllin dialogun me Serbinë edhe pa PDK-në

Prishtinë | 07 Tet 2019 | 14:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analisti politik, Rrahman Paçarizi gjatë një prononcimi për EkonomiaOnline, tha se Lëvizja Vetëvendosje është një parti e cila ka fuqinë të bëjë ndryshime të brendshme, sidomos në drejtësi dhe në luftimin e korrupsionit.

Por, Paçarizi thotë se Vetëvendosje deri më tani ka dështuar të ndërtojë raporte të mira me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Megjithatë pret që VV-ja të ndryshojë edhe në këtë rrafsh.

“Unë besoj që Vetëvendosje është një parti e cila mund të bëjë ndryshime të brendshme sidomos meqë ata kanë qenë të përqendruar në sistemin e drejtësisë dhe në luftimin e korrupsionit të nepotizmit dhe mendoj që kjo është arma e fortë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo në planin ndërkombëtar Vetëvendosje nuk është dëshmuar si një partner mjaft koperativ me Bashkësinë Ndërkombëtare. Por nuk duhet ta paragjykojmë dhe duhet të presim sepse Vetëvendosjen deri tani e kemi parë në opozitë përjashtim komunat dhe sigurisht që sjellja e një partie politike mund dhe duhet të ndryshojë kur e ka barrën e përgjithësisë dhe qeverisjes së vendit dhe ndërtimit të raporteve me partnerët ndërkombëtar”, tha ai.

Paçarizi shtoi se VV-ja dhe LDK-ja janë parti mjaft serioze dhe ato kanë fuqinë që të përballen në dialog me Serbinë edhe pa Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë mendoj që LDK-ja dhe Vetëvendosje janë parti mjaft serioze të përballen në dialog me Serbinë edhe pa PDK-në , sepse kanë një përvojë dhe një traditë dhe nuk do të përbënte problem të qenurit e PDK-së në opozitë. PDK-ja ka dëshmuar që disa herë di të jetë konstruktive edhe nga pozicionet e opozitës por nëse është i mundshëm një koalicion ndërmjet LVV-së dhe LDK-së për këtë kam mjaft dyshime sepse LDK-ja ju ka hyrë këtyre zgjedhjeve me qëllim që ti fitojë”, tha ai.

Paçarizi shton se për koalicion me Vetëvendosjen, nuk mund të vendosë më Vjosa Osmani, por vetëm LDK-ja.

“Vjosa Osmani nuk e ka bërë një gjë të tillë atëherë i mbetet LDK-së dhe jo Osmanit të vendos për koalicione dhe nuk e di nëse ka një vullnet të mjaftueshëm te LDK-ja që ajo të jetë në koalicion me VV-në, sidomos duke pasur parasysh qasjen e deri tashme të VV-së në raport me ndërkombëtarët, ndërsa LDK-ja ka qenë një partnerë i qëndrueshëm”, tha ai.

Paçarizi tha se më e keqja e këtij procesi zgjedhor ka qenë këmbëngulësia e të gjitha partive politike për dërgimin e PDK-së në opozitë.

Lavdëron Veselin për pranimin e rezultatit dhe gatishmërinë e tij për të kaluar në opozitë.

“Unë mendoj që Kadri Veseli ka bërë një sjellje të dinjitetshme. Ai tha se ka pretenduar që t’i fitojë zgjedhjet por nuk e arriti atë. Mendoj që nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por si zgjidhje mund të ishte nëse do të afrohej për bashkëqeverisje me secilën parti politike. Mirëpo, Veseli e mbajti një qëndrim që është mjaft dinjitoz. E keqja e procesit zgjedhor ka qenë se të gjitha partitë si pik synimi e kanë pas nxjerrjen e PDK-së në opozitë”.

Paçarizi ka komentuar edhe rezultatin e dobët të koalicionit Nisma-AKR-PD.

Mendon se koalicioni me AKR-në, Nismën e la jashtë parlamentit.

“Unë mendoj që Nisma është ndëshkuar për shkak të koalicionit me AKR-në sepse nuk dihet për ndonjë raport të afërt ndërmjet Nismës dhe AKR-së dhe në këtë kuptim Nisma është ndëshkuar dhe është keq për demokracinë qe një parti si Nisma të mbetet jashtë pragut”, përfundoi ai.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura dje i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, përderisa koalicioni Nisma-AKR-PD nuk e kaloi pragun zgjedhor.

Të ngjashme