Pacolli: AKR ka plan konkret për punësimin e 80 mijë qytetarëve çdo vit

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 17:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, gjatë një debati në Pejë, iu ka ofruar “kontratë publike” qytetarëve, duke u zotuar se AKR-ja do të mundësojë ngritje ekonomike prej 10 për qind në  vit, qysh në fillim të qeverisjes. Pacolli ka thënë se ka plan konkret për punësimin e 80 mijë qytetarëve çdo vit.

Pacolli ka qëndruar të enjten në Pejë, në vazhdën e praktikave të bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe punësim. Para qindra qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Pejë, ish-zëvendëskryeministri Pacolli ka folur për mundësitë e ndryshimit të situatës aktuale ekonomike dhe politike në vend.

Duke i përshëndetur të pranishmit Presidenti i AKR-së ka folur për problemet esenciale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, duke u fokusuar veçanërisht në çështjen e papunësisë si dhe në mungesën e investimeve kapitale.

Presidenti i AKR-së fillimisht ka folur për potencialin që Peja e ka. Ai ka thënë se ashtu si edhe shumë vende të tjera në Kosovë, Peja është trajtuar padrejtësisht nga udhëheqësia vendore. “Buxheti i shtetit duhet që në mënyrë demografike të shkojë proporcionalisht edhe me investime. Komuna e Pejës përbën rreth 8 ose 9 për qind të territorit të vendit dhe qeveria merr rreth 5 deri në 6 për qind të të hollave për buxhet nga komuna e Pejës, ndërsa shpërndarja buxhetore që bëhet për Pejën nga qeveria dhe buxheti i Kosovës është rreth 1.1 për qind”. Ai ka theksuar se rritja e standardit jetësor nuk mund të bëhet pa zhvillim ekonomik, duke i akuzuar qeveritë e deritashme për mungesë vizioni dhe përgjegjësie.

“Unë sot ju garantoj, jam në gjendje të bëj edhe kontratë publike me qytetarë, se AKR-ja do të mundësojë ngritje ekonomike për 10 përqind qysh në fillim të qeverisjes, vetëm kështu mund të krijohen vendet e punës”, ka thënë Pacolli.

Ai e ka akuzuar qeverinë duke thënë se që nga paslufta me Kosovën operojnë rreth 20 njerëz. Pacolli ka thënë se janë këta individë të cilët e keqtrajtojnë Kosovën dhe e mbajnë peng atë. Ndërsa për faktin që korrupsioni sot e ka kapluar vendin, lideri i AKR-së ka thënë se këto nuk janë statistikat e tij por të organizatave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për korrupsion.

“Ne sot kemi rreth 70 për qind nepotizëm në qeverinë qendrore, ndërsa nëpër komuna është edhe më keq”, ka thënë lideri i AKR-së, duke përmendur edhe mënyrën se si kjo udhëheqësi dhe qeveri vendore flet për integrime evropiane. Pacolli ka thënë se çdo e dyta fjalë e tyre është “Integrimet Euro Atlantike”, duke pyetur se për çfarë integrimesh është fjala. Pacolli ka thënë se tashmë e gjithë Kosova është dëshmitare se kjo qeveri vepron kundër normave dhe ligjeve evropiane.

I pari i AKR-së ka thënë se Aleanca Kosova e Re do të krijojë qeverisje të mirë duke rritur buxhetin dhe duke krijuar fonde për gjeneratat e ardhshme. “Gjithçka duhet të bëhet në mënyrë transparente sepse të gjitha projektet qeveritare bëhen me paratë e qytetarëve. Tokat dhe të gjitha resurset që keqtrajtohen sot, janë prona dhe djersë e qytetarëve”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se udhëheqësia e vendit është ajo e cila e ka zhdukur shtresën e mesme shoqërisë. “Ne sot kemi vetëm 2 shtresa të shoqërisë, një shumë të pasur ku bëjnë pjesë qeveritarët si dhe shtresa e varfër ku bëjnë pjesë qytetarët e Kosovës” është shprehur Pacolli.

Ai ka garantuar se në mandatin e parë qeveritar, AKR do të krijojë mundësi për jetë stabile të qytetarëve si dhe rifunksionalizim të vendit.

AKR-ja do t’i rishikojë të gjitha ligjet e Kosovës një nga një dhe do t’i adaptojë ato në interes të qytetarit dhe jo në favor të njerëzve të fortë. AKR-ja ka plan-program modern dhe e di saktësisht se si duhet të veprojë.

Pacolli ju premtoi qytetarëve të Pejës së me AKR-në në pushtet, ai do të jetë në shërbim të qytetarëve për t’ju garantuar atyre mirëqenie, duke shtuar se askush më nuk do të ketë nevojë të migrojë jashtë Kosovës, pasi përmes projekteve ekonomike të AKR-së, do të sigurohet punësimi për të gjithë.

Debati më pas ka vazhduar me pyetje të shumta të qytetarëve të Pejës për Pacolli, i cili e mori fjalën dhe ju dha përgjigje kërkesave dhe pyetjeve që i shtruan pjesëmarrësit e këtij debati.

 

 

Të ngjashme