Pacolli citon Luter Kingun për ta arsyetuar vendimin e sotëm

Prishtinë | 04 Sht 2017 | 21:10 | Nga

Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, në një postim në Facebook ka cituar Martin Luter Kingun, heroin e revolucionit social në ShBA, për të arsyetuar hyrjen e tij sot në bashkëqeverisje me koalicionin PAN.

“Mund të ndodhë se ju nuk jeni përgjegjës për situatën në të cilën gjendeni. Por do të bëheni përgjegjës, nëse nuk kryeni asgjë për ta ndryshuar. Unë vendosa të bëja diçka. Unë nuk doja të isha përgjegjës për krizën e Kosovës, por të merrja përgjegjësi për zgjidhjen e saj”, ka cituar Pacolli.

Postimi i plotë i Pacollit:

Martin Luter King, heroi i revolucionit social në SHBA ka thënë: Mund të ndodhë se ju nuk jeni përgjegjës për situatën në të cilën gjendeni. Por do të bëheni përgjegjës, nëse nuk kryeni asgjë për ta ndryshuar.
Unë vendosa të bëja diçka. Unë nuk doja të isha përgjegjës për krizën e Kosovës, por të merrja përgjegjësi për zgjidhjen e saj.

Përballë alternativës së shkuarjes në zgjedhje të parakoshme, zinxhirit të krizave që do ta shkatërronin ekonominë e brishtë të Kosovës, imazhin ndërkombëtar të saj, unë, AKR zgjodhëm të merrnim përgjegjësi. Proceset ku ka hyrë Kosova kërkonin përgjegjësi, dhe unë mora përgjegjësi.

Unë di t’i zhvilloj ato. Interesi i Kosovës, interesi kombëtar është mbi interesin partiak të gjithsecilit. Unë u këshillova me miqtë ndërkombëtarë, miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me qytetarë të ndryshëm dhe mora vendimin e duhur. Nuk kishte alternativë tjetër.

Unë i ndoqa të gjithë skenarët e tjerë, që koalicioni ku unë garova të krijonte qeverinë, por nuk u bë dot asgjë. U sakrifikuam, nuk kërkuam asnjë post, dhe partitë e blloqeve të tjera ishin larg.
Në këto kushte, unë vendosa të merrja përgjegjësi. Është krejt e qartë, dhe historia botërore e ka treguar se shpesh një individ, një parti e vogël mund të marrë përgjegjësi të mëdha. Më gjykoni për cilësinë me të cilën unë do t’ i zhvilloj këto përgjegjësi.

Unë kam thënë se nuk do të hy në një qeveri ku nuk do të kem përgjegjësi të mëdha.

Me kryeministrin Haradinaj, kam garanci se do t’i zhvilloj këto përgjegjësi, në të mirë të Kosovës: për anëtarësimin e Kosovës në OKB, për liberalizimin e vizave, për hyrjen në UNESCO, në Interpol, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme