Pacolli: Deri më tani kosovarët në Irak janë mirë dhe të sigurt

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë kosovarë të lënduar nga sulmet në bazat amerikane në Irak.

Ai thotë se kosovarët që punojnë në Irak janë mirë dhe të sigurt.

“Shumë qytetarë të Kosovës punojnë në bazat ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, përfshirë ato që kanë qenë shënjestër e sulmeve të mbrëmshme iraniane. Puna është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë kosovarët, por informatat e para janë që dhjetëra kosovarë punojnë në këto baza”, ka shkruar ai.

Ai thotë se Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve.

“Në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shëndosh e mirë”, ka shkruar Pacolli.

Të ngjashme