Pacolli diskuton me ministrin e Jashtëm të Armenisë për bashkëpunimin në Frankofoni

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka vazhduar agjendën e takimeve në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Frankofonisë në Armeni, me zhvillimin e takimit të radhës me Ministrin e Jashtëm të Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan, shteti i të cilit është nikoqir i kësaj Konference.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar mbi bashkëpunimin në kuadër të organizatës së Frankofonisë dhe thellimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve respektive.

“Me homologun tim armen, Zohrab Mnatsakanyan, biseduam për bashkëpunimin në kuadër të Organizatës së Frankofonisë dhe thellimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve tona. Ministrit Mnatsakanyan i prezantova gjendjen faktike të zhvillimit të proceseve në Republikën e Kosovës dhe i shpreha nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore me shtetin armen. Për Kosovën hapja e një kapitulli të bashkëpunimit me Armeni është i një rëndësie të veçantë si dhe i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Homologun tim armen e falënderova për pritjen e ngrohtë në Jerevan, duke e përgëzuar për organizimin e shkëlqyer të samitit të Frankofonisë”, ka vlerësuar kryediplomati kosovar Pacolli.

Në vazhdim, ministri Pacolli ka thënë se “bashkëpunimi i Kosovës me Armeninë do të jetë i shkëlqyer në të gjitha drejtimit, veçanërisht në kuadër të organizatës së Frankofonisë”.

“Procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe Interpol po ashtu ishin tema, për të cilat kërkova mbështetjen e Mnatsakanyan”, është shprehur ai.

Takimet e tjera bilaterale të Ministrit të Jashtëm Pacolli me homologë të tij që po marrin pjesë në Konferencën e Frankofonisë do të vazhdojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme