Pacolli i thotë Pecit që t’i kërkojë falje Isa Mustafës: S’ka më keq se të pështysh aty ku ke ngrenë

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka dalë në mbrojtje ish-kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, pas fjalëve të Ministrit Faton Peci.

Pacolli i ka sugjeruar Pecit që t’i kërkojë falje Mustafës, duke i thënë se ai është rritur dhe ngritur me LDK’në, që e udhëhiqte Mustafa.

Sipas Pacollit, s’ka veti më të keqe se “të përshtysh aty ku ke ngrënë”.

“Po mundohem t’ju kuptoj (pa hyrë në kampin politik), por ne fund gjithmonë konstatoj se fyerjet që i bëni ish kryetarit tuaj nuk i ngjajnë një djali të ri, nje përsoni të ngritur, një ministri dhe një përfaqësues të Kosovës evropiane. Ju them nga eksperienca ime e gjatë .. nuk ka veti më të keqe për një të ri se kjo “të pështysh aty ku ke ngrenë” Ju zoti Peci, jeni rritur dhe ngritur me LDK-në, të cilën e udhëhiqte njeriu që tani ju e shani, Isa Mustafën. Po të isha në vendin e juaj unë do të kerkoja falje”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, Ministri i Bujqësisë nga Lista “Guxo”, Faton Peci i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, pas paraqitjes së ish-ktryetarit të LDK-së në Pressing.

Peci tha se ndihen krenarë që Mustafën e kanë “arkivuar politikisht”, ndërsa ish-shefin e tij në LDK e konsideroi shërbëtor të bandave politike.

“Isa Mustafën as pensionimi politik nuk po e lë të qetë. Rri i qetë dhe mos pështyj e ofendo në mediume, sepse vetëm sa na e rritë krenarinë që ty dhe shokëve të tu, ju kemi arkivuar politikisht, e kemi shpëtuar vendin nga soji i shërbëtorëve të bandave politike”, ka shkruar ai.

Sipas ministrit, Mustafa nuk mund të mbajë leksione për politikbërje.

“Kohën për mendime politike e ke harxhuar tashmë, me një fund të palavdishëm. Nuk je model që mund të mbash leksione për politikbërjen e as për vizionin e këtij vendi. E kuptoj ndërgjegjen e vrarë për dëmin që i keni shkaktuar vendit me aleatët tuaj tradicional, porse nuk e kuptoj turrin tënd që të mbash moral politik. Disa i mbanë mend historia për veprat, disa për turpin. Të parat ta kanë destinuar vendin e dytë!”, ka shkruar Peci.

Të ngjashme