Pacolli në Japoni: Kosova dhe Shqipëria ofrojnë mjedis të shkëlqyer për biznes

Prishtinë | 01 Mar 2018 | 14:51 | Nga

“Ju ofrojmë Zonë të Lirë Ekonomike, në një rajon, ku së bashku me Shqipërinë përfaqësojmë një qendër tërheqëse për investimet dhe teknologjinë tuaj: porte të thella detare, infrastrukturë rrugore të përshtatshme dhe krah të përgatitur pune”.

Kështu i ka thënë Ministri i jashtëm Pacolli, ministrit japonez të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Sego, gjatë një takimi në selinë e këtij institucioni në Tokio.

“Ju na keni ndihmuar që nga dita e parë e çlirimit deri më sot, një ndihmë bujare, e plotë dhe në të gjitha fushat, ndaj kosovarët e kanë në zemër popullin japonez”, është shprehur kreu i diplomacisë kosovare.

“Kosova e do praninë e ndërmarrësve japonezë në shumë fusha si energjia, infrastruktura, teknologjitë e informacionit, bujqësia, sepse nga eksperienca ime mund të them se tek ata gjen sinqeritet, ndershmëri, korrektësi”, vijoi ai, në takimin e tij të​ parë në kryeqytetin japonez.

Më tej, duke e njohur mikpritësin e tij, ministrin Seko, njëherësh anëtar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin japonez, me mundësitë që ofron Kosova, Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli tha:

“Ne, së bashku me Shqipërinë, me të cilën praktikisht nuk kemi pengesa kufitare, ofrojmë për investitorët japonezë, një mjedis të shkëlqyer për të bërë biznes. Shqipëria ka porte të thella detare dhe me të na lidh një infrastrukturë ekzistuese shumë e mirë. Së bashku ne kemi një pozicion strategjik në mes të Europës dhe ju mund të eksportoni produktet tuaja pa taksa drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kombinimi i teknologjisë dhe markave japoneze me krahun kosovar të punës shumë të përgatitur garantojnë sukses. Ne, jemi të gatshëm për t’ju ofruar një Zonë të Lirë Ekonomike për investitorët nga vendi Juaj”, i tha Ministri Pacolli, anëtarit të Qeverisë japoneze, Hiroshige Seko.

Nga ana e tij, ministri japonez e uroi Pacolli për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe shprehu besimin se vizita e tij në Japoni, e fokusuar në marrëdhëniet me biznesin e këtij vendi të fuqishëm do të jetë e frytshme.

“Ne, e dimë se ju keni bashkëpunuar me shumë sukses me një kompani të vendit tim, produktet e të cilës janë të destinuara për eksport dhe besojmë shumë se shembullin e saj do ta ndjekin dhe kompani të tjera”, i tha ai.

Në vijim, Ministri Pacolli e ftoi bashkëbiseduesin e tij në një vizitë në Kosovë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga ai.

Gjatë këtij takimi, kryediplomati kosovar shoqërohej nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Tokio, Leon Malazogu, për të cilin, Pacolli, duke shprehur fjalë miradie, kërkoi që të mbështetej në aktivitetet promovuese të Kosovës në Japoni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme