Pacolli: Kosova ka çka të mësojë nga Bullgaria

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 17:21 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim homologen e tij nga Bullgaria, Ekaterina Zaharieva.

Në një konferencë për shtyp, Pacolli tha se diskutuan me zëvendëskryeministren dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për ndihmën që Bullgaria është duke i dhënë Kosovën në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare; si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Kosova, ka çka të mësojë nga përvoja e Bullgarisë, si në përvojën e shtet-ndërtimit, ashtu edhe në atë të integrimit në BE”, u shpreh Pacolli, raporton Ekonomia Online.

“Kosova është në rrugë të mirë drejt integrimeve evropiane. Ne diskutuam për suportin që Bullgaria është duke e dhënë për Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, tha shefi i diplomacisë kosovare, në një konferencë me gazetarë.

“Duhet të organizohemi, që bashkëpunimi ekonomik të jetë edhe më i mirë dhe të ketë më shumë shkëmbime të mallrave”, shtoi ai.

Ai tregoi se me homologen bullgare kanë biseduar edhe për bisedimet Kosovë-Serbi. “Erdhëm në përfundim që e vetmja rrugë është dialogu dhe Kosova nuk duhet të ndalet që të dialogojë. Kosova çdo gjë që është pozitive do ta përdorë për të mirë të paqes”, u shpreh Behgjet Pacolli.

Nga ana e saj, zv.kryeministrja dhe ministre e Jashtme e Bullgarisë, Zaharieva, rikujtoi se vendi i saj e merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në fillim të vitit 20018.

“Është prioritet afatgjatë që të përkrahim zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet nuk duhet ta humbin momentumin. Pa këto shtete, projekti i BE-së nuk do të jetë i plotë. Andaj qeveritë e shteteve duhet të implementojnë reformat sepse këto reforma nuk janë për të kënaqur dikë, por janë për qytetarët tuaj”, tha Zaharieva.

“Ne jemi të bindur se pa i pasur brenda BE-së shtetet tona mike, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, projekti evropian nuk do të jetë i kompletuar”, theksoi shefja e diplomacisë bullgare.

“Ne jemi mbështetës të Kosovës”, përsëriti edhe Zaharieva, refrenin tashmë të njohur të zyrtarëve të vendeve të BE-së.

Zaharieva, më herët gjatë ditës, ka takuar dhe presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Ajo do të qëndrojë dhe nesër në Kosovë, me ç’rast do të ketë takime dhe me zyrtarë të tjerë.

Kosova është shteti i fundit, të cilin ajo e viziton në kuadër të turit të saj ballkanik, që e filloi në verë të këtij viti.

Të ngjashme