Pacolli: Kosova ka qenë aleate besnike e Aleancës Globale kundër terrorizmit

Prishtinë | 26 Pri 2018 | 17:34 | Nga

Sot, shefi i diplomacisë, Behgjet Pacolli, mori pjesë në panelin kryesor kushtuar luftës kundër krimit të organizuar si rrugë për të tharë burimet e financimit të terrorizmit.

Paneli drejtohej nga ministri i jashtëm francez, Yves Le Driand, dhe në të marrin pjesë shumë homologë nga vende të ndryshme të botës, Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, etj.

Në fjalën e tij ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, i njohu të pranishmit me hapat e mëdhenj ligjore, politike dhe gjyqësore, që Kosova ka bërë në luftën kundër terrorizmit, ndonëse është një shtet i ri, vetëm 10 vjet shtet.

Ai, përdori tribunën e rëndësishme globale për të kërkuar anëtarësimin e Kosovës në OKB-në, duke filluar me Interpol-in.

“Ne do të rrisnim edhe më shumë kontributin tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, nëse do bëhemi pjesë e të gjithë strukturave globale të sigurisë”, tha ministri i jashtëm Behgjet Pacolli.

Më pas, ai falënderoi Francën për organizimin e këtij takimi, që ka synim konsolidimin e mëtejshëm të Frontit global kundër terrorizmit.

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, pati rastin të përshëndetej dhe të shkëmbente mesazhe me ministrin e jashtëm të Francës, Yve Le Driand, me ministrin e shtetit për punët e jashtme të Indisë Mobashar Jawed Akbar, etj.

Konferenca do të vijojë me adresimin që do t’i bëjë Presidenti francez, Emanuel Makron. Delegacioni kosovar vijon takimet.

 

 

Të ngjashme