Pacolli në Mitrovicë: Me AKR-në Kosova do të zhvillohet rrënjësisht

Mitrovicë | 27 Maj 2017 | 16:27 | Nga

Në kuadër të vizitave të rregullta nëpër Komuna, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidatët e AKR-së për deputetë, ka vizituar sot Mitrovicën, ku ka zhvilluar një takim me qytetarë,  si dhe ka vizituar Fabrikat “Hirano Mushrooms” dhe “Loni Dekor”.

Vizitën e tij, Presidenti i AKR-së dhe kandidatët për deputetë, e filluan nga Fabrika e kërpudhave “Hirano Mushrooms”, ku vëzhguan punët nga afër. Presidenti Pacolli u shpreh i entuziazmuar me punën e mrekullueshme që bëhet aty, duke vlerësuar se prodhimtaria vendore dhe hapja e Fabrikave të reja është rruga e vetme drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kjo fabrikë, e cila u hap me iniciativën e Presidentit Pacolli, është lidere në treg për prodhimin e kërpudhave, ndërsa 100% të prodhimtarisë e dërgon në eksport.

Presidenti Pacolli tha se Kosova ka nevojë për më shumë Fabrika dhe investime. “AKR e ka programin e qartë për krijimin e zonave te lira ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve të rinj, duke aplikuar këtë program, progresi ekonomik do të ishte i dukshëm, ndërsa do të siguroheshin edhe mijëra vende të reja pune” tha ndër të tjera Pacolli.

Pas vizitës në Fabrikën “Hirano Mushrooms”, Presidenti Pacolli bashkë me kandidatët për deputetë Korab Sejdiu, Agim Bahtiri, Albena Reshitaj, Islam Pacolli, Vesel Makolli, Mirlinde Gashi, Refiqe Ternava, Mirlinda Sopi, Jeton Ujkani, Sami Boroci, Amir Ahmeti dhe Arta Haxhaj,  kanë vazhduar qëndrimin e tyrë në Mitrovicë, ku kanë zhvilluar një takim me qytetarët e kësaj Komune.

Gjatë bisedës së tyre me qytetarët e shumtë të cilët ishin tubuar për t’i takuar kandidatët e AKR-së për deputetë, ata kryesisht biseduan për gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë, si dhe për potencialet zhvillimore të Mitrovicës.  Takimin e hapi kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, i cili fillimisht e falënderoi Presidentin Pacolli dhe kandidatët e AKR-së, për vizitën e tyre në Mitrovicë.  Ai tha se vetëm njerëzit e suksesshëm mund ta zhvillojnë Kosovën dhe jo ata të cilët asnjëherë nuk kanë arritur diçka me djersën e tyre.

Në fjalën e tij para qytetarëve të Mitrovicës, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se me AKR-në në qeverisje, Kosova do të zhvillohet rrënjësisht.

“Ne e kemi planin e detajuar për krijimin e kushteve të reja të punësimit, do të jenë grupet proaktive që do të mundësojnë shqyrtimin e çdo ideje, e rrjedhimisht implementimin e saj”, ka thënë Pacolli, dhe ka shtuar se AKR do të krijojë tri zona agro-ekonomike, të cilat automatikisht do ta reduktonin importin nga Serbia. “Ne do të krijojmë atmosferë të këndshme të të berit biznes, Kosovën do ta bëj vend të dashur për të gjithë”, ka thënë lideri i AKR-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme