Pacolli nervozohet kur Gorani kërkon sqarime rreth vonesave për aplikim në Këshill të Evropës

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 14:47 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë raportimit të ministrit Pacolli, deputeti nga PSD-ja, Dukagjin Gorani kërkoi sqarim nga ministri se pse Kosova ende nuk ka filluar procedurat për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Por Pacolli këto i quajti pyetje provokative, apo siç tha, në “kungja”, madje filloi të fliste me zë të lartë.

Goranit i tha se nëse do të filozofojë, mund të dalin vetëm këta të dy.

“Nëse do me filozofu, dalim unë e ti e filozofojmë, e jo këtu të diskutojmë për diçka të pabazë”.

Gorani iu drejtua Pacollit duke e pyetur për arsyet e mosaplikimit deri tani në Këshill të Evropës.

“Është formuar grupi punues që pas punës 3-mujore ka hartuar strategjinë për pranim në Këshill të Evropës. Ku është ky plan? Më interesojnë arsyet pse deri sot nuk është bërë aplikimi dhe nëse e kemi ndonjë projeksion kur do të mund të aplikoni”.

Pacolli tha se për këtë plan duhet harmoni institucionale dhe ende nuk është vendosur për kohën dhe mënyrën si do të aplikohet, raporton Ekonomia Online.

“Është te ne dhe duhet të kemi harmoni ndërinstitucionale, a po aplikojmë, a jo. Ne nuk kemi vendosë as datë, as mënyrën, momentin kur të aplikojmë në Këshillin e Evropës”.

“Këto janë pyetje me kungja, e ki arsyen e problemeve financiare të Këshillit të Evropës që nuk mund të aplikojmë, i ke arsyet në raport. Rusia kushtëzon, Serbia kundërshton, e Kosova është mollë sherri atje. Lexoje raportin para se të flasësh. Thuaj që s’e ke lexu hala”.

Evgjeni Dragusha-Thaçi, nga PDK-ja, tha se sot e gjetët të dilni në media dhe puna kryesore po shkon huq.

Pas kësaj reagoi kryetarja e komisionit e cila tha se nuk ka kompetencë të përzihet në fjalën e deputetëve, sepse secili ka të drejtë të flasë çfarë të dojë.

Por për sjelljen e tij Pacolli u arsyetua duke thënë se me Goranin janë miq, por që, sipas tij, ky i fundit nuk kishte arsye të thoshte se në raport mungonin të dhëna, sepse Pacolli tha se është raport shumë i saktë dhe i detajuar.

Gorani iu kundërpërgjigj duke i thënë se “shok, shok po kosi me pare”, i menjëhershëm ishte reagimi i Pacollit i cili i tha se “shtrenjtë po e shet kosin”.

Të ngjashme