Pacolli: Nga përafrimi i politikës së jashtme me BE-në përmbushim interesat e shtetit

Prishtinë | 05 Dhj 2017 | 13:18 | Nga

Nëpërmjet përafrimit me Bashkimin Evropian, politikën e tij të jashtme, ne përmbushim interesat e shtetit tonë, interesat e qytetarëve dhe interesat kombëtare.

Nëpërmjet këtij përafrimi, ne forcojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtarë, bëhemi pjesë e një organizate politike, e cila është njëra prej akterëve më të rëndësishëm botërorë.

Kështu ka thënë Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në konferencën e Organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZtë titulluar: “Rëndësia e përafrimit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së: Sfidat dhe mundësitë”.

“Le t’i tregojmë qytetarëve tanë, mirëpo edhe klasës politike, e cila ndoshta nuk mund t’i kuptojë plotësisht këto koncepte: pse ne jemi duke u përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, pra perëndimit. Ne po e bëjmë këtë sepse ne jemi të vendosur që të jemi gjithherë me perëndimin. Ne po lëvizim drejt perëndimit dhe Perëndimi nuk vjen te ne, Bashkimi Evropian nuk vjen tek ne”, ka thënë Ministri i Jashtëm, Pacolli.

Në vazhdim të prezantimit të tij, Ministri Pacolli ka kërkuar më shumë koordinim me aleatët dhe unifikim të politikës së brendshme.

“Ne nuk mund të sillemi sikur jemi qendra e botës. Duhet të koordinohemi me aleatët tanë më të mirë, sepse që nga koha e Skënderbeut, ne e kemi këtë mesazh: bashkimi bënë fuqinë. Ne nuk mund ta sfidojmë Bashkimin Evropian me lojërat tona të brendshme politike, as  të shfrytëzojmë atë për këto lojëra”, është shprehur Pacolli.

Tutje, ai ka përmendur edhe punën, që është bërë deri më tash nga institucionet vendore në këtë drejtim dhe gjithashtu edhe sfidat që mbesin përpara.

“Është shumë e rëndësishme të përmendet, që deri më tash, Kosova plotësisht e ka përafruar politikën e saj të jashtme, megjithëkëtë më shumë hapa duhet të ndërmerren në linjë me kërkesat, që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, ka thënë Ministri Pacolli.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme