Pacolli: Njohja e Kosovës është kontributi më i madh për paqen në rajon

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, të enjten iu është drejtuar ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Shefi i diplomacisë kosovare me këtë rast ka theksuar nevojën që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të mbështesë shtetin e Kosovës në nivelin global, pasi siç ka thënë ai, qasja e këtillë është kontributi më i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe është njohje e rolit konstruktiv që luan Kosova.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha vendet në mënyrë miqësore dhe bashkëpunuese, por u bëj thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, ta marrin këtë vendim dhe të na mbështesin në përpjekjen tonë për anëtarësim edhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka thënë ministri i Jashtëm Pacolli.

Në ndërkohë, ne margjinat e kësaj konference, Pacolli ka zhvilluar shumë takime bilaterale me ministra të jashtëm të hapësirës frankofone.

“Qëllimi është të vazhdojmë angazhimin tonë për të kundërshtuar agresionin diplomatik dhe propagandistik serb dhe t’i shpjegojmë botës mënyrën e ndyrë që Serbia po përdor kundër Kosovës”, ka deklaruar ministri Pacolli.

Kosova u anëtarësua në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë si anëtare vëzhguese në vitin 2014, ndërsa në tetor te vitit të kaluar asaj iu ngrit statusi në anëtar të asociuar.

Të ngjashme