Pacolli: Nuk e lejoj askënd të ma kërcënoj familjen dhe fëmijët e mi

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Pasi policia ka arrestuar personin që e kishte kërcënuar atë dhe familjen etij, deputeti dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se asnjëherë nuk do ta lejojë askënd që mllefin e tij personal ta shpreh duke  kërcënuar familjen dhe fëmijët e tij.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Familja është vlera më e madhe e shoqërisë. Fëmijët janë të shenjtë për secilin prej nesh andaj t’u japim dashuri sa më shumë që mundemi”.

“Shoqëria jonë duhet të ketë kujdes dhe të mos tejkalojë limitet e respektit ndaj familjes e veçanërisht ndaj fëmijëve.  Nga ana tjetër unë asnjëherë nuk do ta lejoj askënd që mllefin e tij personal ta shpreh duke më kërcënuar familjen, e fëmijët e mi”, ka shkruar Pacolli.

Ai  ka thënë se do të përdorë të gjithë instrumentet ligjorë që t’i ndjek këta persona “duke shpresuar që në këtë mënyrë i kontribuoj tërë shoqërisë e cila është e ngopur me dhunë, kërcënime e frikësime”.

Ndryshe, Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur sot se Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar një person që ka kërcënuar liderin e  AKR-së, Behgjet Pacolli dhe familjen e tij si dhe ka kërkuar para nga ai.

“Personi i arrestuar në orët e vona mbrëmë, me inicialet E.H, i cili kërcënoi z. Pacolli dhe fëmijët e tij i ka kërkuar gjithashtu para. Personi ka pretenduar të jetë edhe prokuror i Kosovës”, ka shkruar Murseli.

Të ngjashme