Pacolli pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit në Varshavë

Prishtinë | 12 Pri 2019 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryministri i Parë dhe ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në takimin ministror, që po zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, në kryeqytetin polak Varshavë, ku po marrin pjesë ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Rumanisë, Sllovenisë, të Komisionit Evropian, të BE-së dhe të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit të Rinisë. 

Në seancën plenare, që trajtoi temën e “Marrëdhënieve dypalëshe-gjendja aktuale dhe objektivat, që duhet arritur” u diskutua mbi marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të arriturat dhe sfidat si dhe perspektiva evropiane. 

Gjithashtu, u fol edhe për ndërlidhjet infrastrukturore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndihma në fushën e konektivitetit e mobilitetit nga Procesi i Berlinit për rajonin. 

Dy bashkëkryesuesit, Ministri i Jashtëm polak Czaputowitz dhe ai gjerman Maas vlerësuan rëndësinë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe njëkohësisht kërkuan më shumë angazhim nga vet vendet e Ballkanit në avancimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet tyre. 

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në fjalën e tij fillimisht theksoi rëndësinë e përfshirjes së temës së rinisë në debat dhe sfidat e problemet me të cilat po përballet ajo në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Në vazhdim, ai potencoi se është detyrë parësore e institucioneve të ofrojnë perspektivë për të rinjtë, t’u mundësojnë më shumë mirëqenie, kushte dhe mundësi për të nesërmen e tyre. 

Në lidhje me këtë, ministri i jashtëm, Pacolli, theksoi se Kosova ka një popullatë më të re në gjithë Evropën, të përgatitur, por me shumë pak mundësi të lëvizjes së lirë në BE, për shkak të mos liberalizimit të vizave. 

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Zëvendëskryeministri Pacolli theksoi se Kosova nuk ka çështje të hapura me disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe përmendi së fundi edhe përfundimin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. 

Por,  ai tha se në rajon ka ende probleme dhe përmendi edhe pamundësinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në Bosnje e Hercegovinë pa viza, duke vlerësuar se përderisa në Evropë flasim për regjim pa viza në Ballkan janë vënë barriera. 

Tutje, ministri Pacolli theksoi se Kosova është e përkushtuar për zgjidhje paqësore dhe me marrëveshje të çështjeve edhe me Serbinë dhe e përkushtuar, gjithashtu, për dialog, që do të çonte drejt marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme