Pacolli reagon ndaj dy politikanëve spanjollë që e kritikuan Sanchezin pse i foli Kurtit

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryediplomati, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se Spanja duhet të jetë krenare për vizionin e kryeministrit të, Pedro Sanchez. Ai ka kërkuar që kryeministri spanjoll të mos kritikohet pse bisedoi dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Pacolli ka shkruar në Facebook se Pablo Hipsan, Pablo Casado, dy politikanët spanjollë që e kritikuan Sanchezin për këtë veprim “duhet ta dinë se kosovarët me shqiptarët luftuan krah për krah për demokracinë e Spanjës”.

“Spanja duhet të jetë krenare për vizionin e Kryeministrit të saj Pedro Sanchez dhe të mos ngrejë kritika kundër tij pse ai shtrëngoi dorën me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Spanja demokratike nuk mund të mbyllet në kafazin e atyre që urrejnë demokracinë dhe civilizimin. Pablo Hipsan, Pablo Casado dhe ata të llojit të tyre duhet ta dinë se kosovarët me shqiptarët luftuan krah për krah për demokracinë e Spanjës. Pra, Pse ju shqetëson shteti demokratik i Kosovës?”, shkroi Pacolli në Facebook.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka konfirmuar dje se është përshëndetur me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor që është mbajtur në Slloveni, shkruan Eruopa Press.

Sanchez ka thënë se gjatë kësaj përshëndetje me Kurtin kanë diskutuar edhe për punën e dialogut Kosovë-Serbi, dhe se ka inkurajuar palët në gjetjen e një marrëveshje që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe që do të ishte e pranueshme për të dy palët.

“Kam pasur rastin të përshëndes kryeministrin dhe t’i them se ne mirëpresim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe i inkurajojmë të dyja palët që të gjejnë marrëveshje që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe që kënaqë të dyja palët”, ka thënë Sanchez.

Ndërsa, teksa a folur për vendimin që Spanja të marrë pjesë në një Samit ku është edhe Kosova, Sanchez ka thënë se është e pa imagjinueshme që të mungojnë në një Samit ku marrin pjesë 26 shtetet anëtare të BE’së.

“A mund ta imagjinoni që Spanja mungonte në këtë samit kur kanë qenë 26 shtetet e tjera anëtare? Ne duhet të jemi në debate për të dhënë mendimin tonë”, ka thënë Sanchez.

Ndërkohë për pjesëmarrjen në Samit dhe për përshëndetjen me Kurtin, Sanchez ka marrë kritika nga Spanja.

Zëdhënës i Grupit Popullor në Kongresin spanjoll, Pablo Hispan, ka thënë se vendimi për pjesëmarrje në Samit është një “pakuptimësi e re” e politikës së jashtme të Qeverisë së Spanjës, derisa thekson se me një veprim të tillë është prishur pozicioni shtetëror që Spanja e ka mbajtur për një dekadë.

Hispan thotë se Sanchez është dorëzuar. Kritika në adresë të Sanchez kanë shkuar edhe nga politikani tjetër spanjoll dhe anëtari i Kongresit, Pablo Casado

Të ngjashme