Pacolli: Rritja ekapaciteteve shëndetësore ndikon në hapjen graduale të ekonomisë

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli në një shkrim në Facebook ka komentuar situatën me Coronavirus ku ka shkruar se kjo gjendje duhet ët përballohet me  ngritjen e kapaciteteve mjeksore duke bërë testime të shumëta, hap ky që do të ndihmonete në hapjen graduale të ekonomisë.

Pacolli më tutje ka shtuar se kjo ka ndërlidhje dhe se zvogëlimi i të ardhurave të qytetarëve nga mbyllja e bizneseve sidomos tek sektori privat shkakton në ët ardhurat e shëndetësisë.

Postimi i plotë:

Krizat si kjo me pandeminë e Covid-19 janë shumë të rralla. Përvojat se si shtetet janë duke u përballe me këtë krizë janë të ndryshme. Por, e përbashkëta e këtyre përvojave duket të jetë rritja e kapaciteteve mjekësore për aq sa ka mundësi, testimet e shumta, etj, çka mundëson kontrollin e pandemisë, e çka mund të ndihmoj në hapjen graduale dhe të planifikuar të ekonomisë, që mund të bëhet në faza të caktuara.

Mendoj, se qasja për ballafaqim më këtë krizë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë prioritet, por nuk duhet lënë anash as problematikën ekonomike dhe sociale të krizës.

Prandaj, besoj se duhet të krijohet një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme, ku mbrojtja e shëndetit të qytetarëve si prioritet numër një, të shoqërohet edhe me çështje që lidhen me mbrojtjen e ekonomisë.

Besoj, se ekziston një ndërlidhje direkte në mes të shëndetit dhe ekonomisë.

Rënia e ekonomisë ndikon në zvogëlimin e qarkullimit të parasë, e kjo ndikon direkt në të ardhurat tatimore.

Zvogëlimi i këtyre të ardhurave tatimore ndikon edhe në mjetet që sektori i shëndetësisë do të ketë në dispozicion për përballje me pandeminë. Për më tepër, rënia e të ardhurave e punëtorëve të sektorit privat do të ketë ndikim edhe në shëndetin fizik dhe mendor të një numri të madh të qytetarëve, duke zvogeluar dhe dëmtuar imunitetin e tyre.

Duhet të mendojmë për një plan të shpejtë të rritjes së kapaciteteve mjekësore, e në anën tjetër të bëjmë plane konkrete për “exit strategy”. Pra, duhet të mendohet se si të veprojmë tutje për një hapje të planifikuar të ekonomisë.

Krahas strategjisë së izolimit të atyre që kanë pasë kontakte më të infektuar, strategji kjo e cila duket se po funksionon në Kosovë, përvoja nga Korea e Jugut, Gjermania, etj, tregojnë se testimet e shpeshta në një anë dhe identifikimi e mbrojtja e atyre me sëmundje kronike, janë poashtu strategji e mirë për parandalimin e infeksioneve, uljen e vdekshmërisë, etj. Ekspertët e shëndetësisë dhe ata të ekonomisë duhet të punojnë së bashku.

Në këtë mënyrë, mund të arrihet një hapje e ekonomisë në faza të caktuara, ku në çdo faze duhet të hapen sektorë të caktuar varësisht nga shkalla e rrezikut dhe duke respektuar masat mbrojtëse të detajuara nga ekspert shëndetësorë. Kriza që po e kalojmë është shumë-dimensionale. Prandaj, edhe duhet të trajtohet në këtë mënyrë.

Në fund dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo pandemi, kurse atyre që janë të infektuar ju urojë shërim të shpejtë.

Njëherazi, shpreh admirimin tim për punëtorët shëndetësorë, policinë, doganierët, bizneset që po furnizojnë popullësinë me mallra, si dhe për të gjithë ata që janë të kyqur në përballje të kësaj krize.

Shpresoj se kalimi i pandemisë do të na gjejë më të fortë, më të bashkuar, dhe më të përkushtuar që të punojmë për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë shqiptarët!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme