Pacolli: Rruga e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e pandalshme

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 16:24 | Nga

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka uruar homologen kroate, Marija Pejçinoviç Buriç, për marrjen e Kryesimit të Këshillit të Evropës nga Kroacia (KiE).

Pacolli ka thënë se kryesimi i KiE-së nga Kroacia krijon rrethana të favorshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ai me anë të një postimi në facebook, është shprehur se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është i pandalshëm dhe synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE e NATO.

“E kam uruar homologen time kroate, Marija Pejčinović Burić, për marrjen e Kryesimit të Këshillit të Evropës nga Kroacia, shtet me të cilin tradicionalisht kemi pasur marrëdhënie të afërta dhe strategjike. Kjo krijon një mundësi të re dhe rrethana të favorshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”

“Rruga e Kosovës drejt KiE-së është në drejtimin e duhur dhe e pandalshme, përderisa synimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO”.

“Misioni dhe vlerat që mbron KiE e plotësojnë aspiratën tonë për integrim në Evropë. E falënderoj, gjithashtu shtetin tonë mik Danimarkën që deri më tash e ka pasur kryesimin e KiE-s”, ka shkruar Pacolli.

Kosova ende nuk ka aplikuar për anëtarësim në KiE, pavarësisht se një gjë e tillë ishte thënë se do të ndodhë në fillim të këtij viti.

Të ngjashme