Pacolli: Shtetit ia kam siguruar 43 njohje – Osmani: Njohjet s’janë meritë e ndonjë individi

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani nuk ia e njeh asnjë kontribut njeriut që e ftoi muaj më parë në zyrën e tij në cilësinë e ish -Presidentit. Ajo tha se shtetet si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Turqia kanë merita, jo ndonjë individ. Kreu i AKR’së Behgjet Pacolli që pohon se ka siguruar 43 njohje, nuk është lajmëruar për të komentuar rreth deklaratave të Osmanit.

Pak muaj pasi kishte marrë detyrën Vjosa Osmani, kishte bërë një veprim të pëlqyer. Në zyrën e saj kishte ftuar ish presidentët e shtetit Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën e Behgjet Pacollin, siç bëjnë shpesh në Amerikë kur Presidenti në detyrë, fton presidentët paraprakë. Ajo kishte shpjeguar se qëllimi i takimit ishte ndërtimi i një kulture të re, kujtese e tradite institucionale. Por të hënën Presidentja “goditi” njërin prej tyre për punën që më së shumti krenohet. Tha se asnjë individ s’ka siguruar njohje, e Behgjet Pacolli pretendon se me angazhimin e tij ka sjellë 43 njohje.

“Vetëm nga posti i opozitës këtij shteti ia kam sjellë 43 njohje. Jo me biltetat e shtetit, jo me buxhetin e shtetit, por me fondet e mia. Dhe nëse pyet dikush pse kjo, unë kam vetëm një përgjigje, unë do ta bëjë edhe një herë atë edhe shumë herë, për arsye se ne ndërtojmë shtet për herë të parë dhe për herë të fundit. Por rri vetëm duke shpresuar se një ditë do të vjen ajo ditë që unë mund ta japë kontributin tim, muj me drejtu këtë shtet”, kishte thënë Pacolli në një paraqitje në fushatë zgjedhore të mbajtur para dy vitesh.

Por me këtë nuk pajtohet Presidentja aktuale.

Në një intervistë për ATV, Osmani ka thënë se asnjë njohje për Kosovën s’është meritë e ndonjë individi dhe se të gjitha ato kanë ardhur si rezultat i mbështetjes së shteteve të fuqishme si SHBA, Gjermania, Anglia e Turqia.

“Një gjë të jetë e qartë, për të gjatë gjithë procesit nga viti 2008 e tutje, Kosova është angazhuar, por të gjitha njohjet kanë ardhur për shkak se kemi pasur në krahë shtetet si SHBA-të, Gjermania, Turqia, Mbretëria e Bashkuar. Asnjë njohje, asnjë anëtarësim i Kosovës nuk ka qenë meritë e ndonjë individi në Kosovë, ka qenë bashkëpunim i të gjitha institucioneve me miqtë tanë. Po të mos ishin miqtë tanë nuk do të kishim asnjë njohje, të jeni të sigurt. Jemi të bekuar që i kemi”, ka thënë Osmani për ATV.

Gazeta Express ka provuar pas intervistës së Osmanit të marrë një reagim të Pacollit, por ky i fundit deri më tash nuk është lajmëruar.

Pacolli vazhdimisht ka lobuar për njohje dhe për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, qoftë nga petku i zyrtarit të shtetit si ministër i jashtëm apo qoftë nga petku privat e ai i biznesmenit është Behgjet Pacolli. Edhe pse nuk mund të dihet me saktësi se cilat njohje janë siguruar nga ai ndërkohë që shpesh është akuzuar se udhëtimet e tij për lobim janë bërë edhe për arsye biznesore.

Përfshirja e Pacollit në çështjen e njohjeve madje ka qenë një prej temave kryesore në fundin e vitit 2021, meqë kreu i AKR-së përmes një letre publike drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, kishte thënë se e kishte siguruar një njohje për Kosovën dhe se kishte mbetur vetëm planifikimi i vizitës në Kosovë për ta formalizuar atë.

“Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për të kryer formalitetin e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj eventuale në këtë shtet.Gjithçka është e rregulluar, zotëri Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj”, kishte shkruar Pacolli në letrën e tij të datës 19 dhjetor 2021, shkruan Express.

Megjithatë kjo nuk është hera e vetme që Pacolli është përfshirë në fushatën për t’i sjellë njohje Kosovës. Kreu i AKR-së në vazhdimësi ka lobuar, sidomos në shtetet e Afrikës.

Madje në një tubim në kuadër të një fushate zgjedhore para dy vjetësh, Pacolli kishte thënë se me financat e tij private ia kishte siguruar Kosovës 43 njohje .

Kreu i AKR-së atë kohë kishte deklaruar se si opozitar kishte arritur që t’ia sigurojë Kosovës gjithë ato njohje, dhe se të gjitha vizitat i kishte realizuar me paratë e tij private. Pacolli atëherë kishte deklaruar se një gjë të tillë do ta bënte sa herë që t’i jepej rasti, meqë thoshte se Kosova si shtet ndërtohet një herë.

Të ngjashme