Pacolli takohet me homologët e tij polak, çek dhe sllovak, diskuton mbi thellimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 01 Shk 2019 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të vizitës në Rumani dhe pjesëmarrjes në takimin jo-formal, të organizuar nga Rumania, si kryesuese e Presidencës së radhës e Këshillit të BE-së, për vendet anëtare të BE-së, Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, është takuar në takime të ndara me ministrin e jashtëm polak, Jacek Czaputowicz atë të Çekisë, Tomáš Petříček dhe sllovakun, Miroslav Lajčák.

Gjatë takimit me kryediplomatin polak, ministri i jashtëm, Pacolli, është siguruar për përkrahjen e këtij shteti në të gjitha proceset integruese ndërkombëtare të vendit tonë si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Më pas, është shfaqur interesim mbi mbarëvajtjen e procesit të dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përderisa diplomati polak kërkoi ri-shqyrtimin e taksës së vendosur ndaj Serbisë.  

Samiti Procesit të Berlinit, i cili sivjet do të mbahet në Poloni ka qenë temë tjetër diskutimi në mes dy bashkëbiseduesve, ku u theksua se Polonia mbetet e përkushtuar për procesin e zgjerimit edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do ta ndihmojë atë në përafrimin me BE-në.

Gjatë orëve të pasdites, ministri i jashtëm Pacolli takoi edhe ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomáš Petříček.

Edhe në kuadër të këtij takimi dypalësh, homologu i tij çek ka shprehur mbështetjen çeke në të gjitha proceset e rëndësishme të integrimit ndërkombëtarë të Kosovës, ndërsa është diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në krijimin e kushteve për investitorët çek në Kosovë.

Në vazhdim të këtij takimi është bërë e ditur se po punohet edhe në përcaktimin e një date për vizitën e ministrit Pacolli në Pragë, me qëllimin e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Takimi me ministrin e jashtëm sllovak, Miroslav Lajčák, ishte aktiviteti tjetër i numrit dy të Qeverisë Pacolli, gjatë qëndrimit në Bukuresht.

Ministri sllovak ofroi çdo lloj ndihme, që vendi i tij mund të ofrojë ndaj Kosovës, shprehi interesimin e shtetit sllovak për stabilitetin në Ballkan dhe mbështetjen e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka bërë të ditur se së shpejti do ta vizitojë vendin tonë, si kryesues i radhës i OSBE-së.

Sllovakia, sipas kryediplomatit sllovak, Lajčák, nuk e kundërshton procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërkohë që është shprehur interesimi i këtij shteti për thellimin e bashkëpunimit dhe diskutimit të mundësive për hapjen e Zyrës Përfaqësuese të vendit tonë në Bratislavë.

Në margjina të takimit jo-formal, të organizuar nga shteti i Rumanisë, ministri Pacolli ka takuar edhe homologun e tij slloven, Miro Cerar, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Gjatë takimit me ministrin e jashtëm slloven, është biseduar për mbështetjen e Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, marrëdhëniet dy palëshe dhe mbështetjen e tyre në proceset e tjera integruese euro-atlantike, ndërsa me dy bashkëbiseduesit e tjerë nga BE-ja ka folur për procesin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Me këtë rast, ministri Pacolli kërkoi, që dialogu të vazhdoj pavarësisht masës së vendosur nga Qeveria e Kosovës.  

Nga ana e tyre bashkëbiseduesit nga BE-ja kanë thënë se dialogu duhet që patjetër të vazhdojë dhe se do të bëjnë përpjekje për ta ri-filluar atë.

Të ngjashme