Pacolli: Do të themelojmë Bursën e Kosovës

Prishtinë | 03 Qer 2017 | 11:31 | Nga

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka marrë pjesë në konferencën me investitorët dhe biznesmenët, të organizuar nga koalicioni LDK-AKR-LD-Alternativa.

Duke folur për planin ekonomik dhe zhvillimor për mandatin katërvjeçar, i pari i AKR-së ka treguar për shtyllat kryesore të planprogramit qeverisës të koalicionit dhe për platformën e ekonomike si dhe mënyrën e implementimit të saj.

“Zhvillimi ekonomik me rritje 8%, krijimi i vendeve të punës deri në 70 mijë vetë. Gjithashtu ne do ta themelojmë agjencinë e pavarur të participimeve që të mos e shesim pronën tonë, do të ftojmë investitorët që të fillojnë aktivitetet e tyre në fabrikat që nuk janë në funksion”, ka thënë Presidenti i AKR-së dhe ka shtuar se qysh në fillim të qeverisjes do të jetësohen tri zonat e lira ekonomike, pra në Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren dhe ka shtuar se gjatë mandatit qeverisës do të themelohet edhe Berza e Kosovës.

I pari i AKR-së më tutje ka treguar edhe për planin e krijimit të tregut të përbashkët gjithëshqiptar, i cili sipas tij është shumë i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve më të mëdhenj. “Do ta zhvillojmë industrinë përpunuese. Kemi fuqi punëtore të lirë dhe duhet të ecim përpara. Edhe të rinjtë tanë do të gjejnë punë sepse ne kemi një praktikë për këtë. Na mbështesni për këto gjëra.”, ka thënë presidenti Pacolli , duke shpjeguar metodat e zhvillimit të cilat janë përdorur nëpër vende të zhvilluara si dhe për mundësinë e aplikimit të tyre edhe në Kosovë.

Pacolli gjatë fjalës së tij ka përmendur edhe Trepçën për të cilën ka thënë se gjithmonë do të jetë pronë e Kosovës. “Trepça do te trajtohet sipas metodologjisë së PPP-ve gjithmonë duke involvuar kompani globale por vetëm në menaxhim jo në pronësi, Trepça do te jetë gjithmonë pronë e Kosovës”, ka theksuar presidenti i AKR-së.

Ai ka akuzuar institucionet për shkatërrim të maleve nga gurthyesit, si dhe shkatërrimin e lumenjve , të cilët sipas tij janë kthyer nëpër humnera të eksploatuesve të egër.

Pacolli ka shtuar gjatë fjalimit të tij se qeveria e koalicionit të shpresës, do ta ndajë gjyqësinë nga politika. “Kjo duhet të bëhet njëherë e përgjithmonë. Gjyqësia duhet të jetë e pavarur e të mos mbesin lëndët pa u zgjidhur me vite. Me këtë do të kemi probleme me imazhin tonë në Kosovë”, ka theksuar ai. Presidenti i AKR-së është zotuar se me eksperiencën që e posedon, e ka mundësinë që ta bëjë Kosovën një vend të dashur për qytetarët, ku mirëqenia e tyre do të ishte prioritet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme