Pakënaqësia e serbëve në Kosovë ndaj punësimeve partiake

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Millan Andrejeviq nga Graçanica, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës, ka protestuar të martën para drejtorisë së Qendrës Klinike Spitalore (QKS), e cila funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë. Kjo protestë, siç ka thënë ai, ishte kundër “punësimit me familjarizim” dhe atij “partiak”.

“Jemi mbledhur që ta parandalojmë këtë padrejtësi, këtë cirk që quhet konkurs. Ky konkurs është jolegal, i paligjshëm dhe duhet të anulohet. Ministria e Shëndetësisë (e Qeverisë së Serbisë), në faqen e saj të internetit, e ka shpallur konkursin për teknikë mjekësorë dhe jo për tregtarë dhe ekonomistë. Ndërkaq, këtu janë pranuar njerëz, të cilët përgjatë natës, e kanë kryer shkollën e mjekësisë”, ka thënë Andrejeviq, teknik mjekësor dhe një prej atyre që kanë konkurruar dhe nuk janë pranuar në punë. Tash e 16 vjet, ai pret për t’u punësuar.

Në protestë, përveç atyre që nuk janë pranuar në punë në Qendrën Klinike Spitalore, janë tubuar edhe disa dhjetëra qytetarë, të cilët kanë dashur të shprehin pakënaqësinë e tyre për “punësimin me familjarizim” dhe atë “partiak”.

Qendra Klinike Spitalore, e cila funksionon në kuadër të sistemit serb, është zhvendosur në vitin 1999 nga Prishtina në Graçanicë, në disa kontejnerë të metaltë, në të cilat gjendet edhe sot.

Në këtë institucion shëndetësor janë të shtruar pacientët nga territori i Komunës së Graçanicës, por ka pacientë edhe nga komunat tjera me shumicë serbe, që gjenden në jug të lumit Ibër. Në krye të Qendrës Klinike Spitalore aktualisht është Bratisllav Llaziq, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Komunës së Graçanicës, sipas sistemit të Kosovës. Ndërsa, kryetar i kësaj komune është Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe.

Të ngjashme