Pala serbe në Bruksel këmbëngul për Asociacionin: Varet nga Prishtina nëse dialogu vazhdon

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Delegacioni i Serbisë ka përfunduar bisedimet dypalëshe me përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Siç raporton mediumi serb “Tanjug”, bisedimet do të vazhdojnë pasdite, por nuk dihet në cilin format, pra nëse dy palët do të jenë në të njëjtën tavolinë, njofton Klan Kosova.

Takimi me kreun e delegacionit serb Petar Petkoviq ka zgjatur një orë më shumë se që është planifikuar derisa për Tanjug u konfirmua se çështja e parë e paraqitur nga delegacioni i Beogradit ishte formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kemi ardhur për të biseduar dhe jemi absolutisht të gatshëm të bisedojmë me Prishtinën. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Tani konstruktiviteti i tyre është në test dhe nëse bisedimet e drejtpërdrejta do të zhvillohen tani varet ekskluzivisht nga Prishtina. Ne erdhëm në Bruksel pas thirrjes së BE-së për të diskutuar për Asociacionin, siç është paralajmëruar në deklaratën e BE-së të datës 30 shtator”, tha delegacioni i Beogradit.

Derisa nga Qeveria e Kosovës nuk është dhënë ndonjë informatë për takimin e sotshëm, mediat serbe po raportojnë se delegacioni i Kosovës aktualisht është në takim me ndërmjetësuesit e BE-së dhe nga rezultati i asaj bisede varet nëse do të ketë një takim trepalësh pasdite apo nëse bisedimet do të vazhdojnë në mënyrë bilaterale.

Të ngjashme