Pallaska propozon 8 hapa për të mos lejuar që të eskalojë situata dhe të kthehet normaliteti në vend

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Avokati dhe analisti politik Dastid Pallaska ka thënë se nga protagonistët politikë në vend, po testohet stabiliteti i vendit.

Në një shkrim në Facebook, Pallaska ka thënë se nëse akterët politikë nuk kanë qëllime që të shkaktojnë trazira, atëherë ka disa hapa për të siguruar një stabilitet, sipas tij, shkruan Reporteri.

Ai ka propozuar tetë hapa, që sipas tij e kthejnë normalitetin në vend, dhe tregojnë se ne e meritojmë shtetin që kemi.

Stabiliteti dhe funksionaliteti i një shteti nuk ndikohet domosdo nga natyra e problemeve dhe krizave që mund të paraqiten kohë pas kohe.

Përkundrazi, stabiliteti dhe funksionaliteti i një shteti matet vetëm në bazë të kapacitetit të shtetit për t’i zgjidhur problemet dhe krizat me të cilat ballafaqohet.

Pas një periudhe papërgjegjshmërie të skajshme të protagonistëve politikë, sot jemi në një moment kur po testohet stabiliteti dhe funksionaliteti i shtetit tonë.

Nëse qëllimi i protagonistëve politikë nuk është që të nxisin trazira dhe të krijojnë paralelizma të pushtetit që do të vërtetonin teoritë e kundërshtarëve tonë brenda dhe jashtë se Kosova është shtet i dështuar, hapat vijues janë të domosdoshëm për de-eskalimin e situatës dhe kthimin e normalitetit në vend:

1. Presidenti duhet të publikojë letër-shkëmbimin me LDK-në në lidhje me mundësinë e propozimit të mandatarit për krijimin e Qeverisë nga një koalicion i udhëhequr nga kjo parti politike.

2. Nëse LDK krjion një shumicë të re parlamentare dhe i dërgon Presidentit emrin e mandatarit, Presidenti duhet të publikojë këtë propozim si dhe dekretin e vet eventual për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë para se dekreti t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe votim.

3. Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk duhet të caktohet më herët se tre ditë nga dita kur dekreti i Presidentit është dorëzuar në Kuvend.

4. Brenda këtij afati prej tre ditësh, cilado palë e autorizuar, që pretendon se dekreti i Presidentit është në kundërshtim me Kushtetutën, ka mundësi ta dërgojë dekretin e Presidentit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e dekretit deri në vendosjen meritore të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

5. Pas paraqitjes së çështjes për zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha palët duhet të zotohen edhe publikisht se procedura e vlerësimit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese është rruga e vetme për zgjidhjen e kësaj çështje dhe se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

6. Krahas zotimit për respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të gjitha palët duhet edhe publikisht të bëjnë thirrje kundër trazirave apo protestave të dhunshme para dhe/apo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

7. Gjykata Kushtetuese duhet, para mbajtjes së seancës së Kuvendit, të pezullojë zbatimin e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë deri në vendosjen e meritave të çështjes.

8. Pas vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, të gjitha palët duhet edhe publikisht të deklarojnë se – pavarësisht pakënaqësive eventuale – vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta respektojnë dhe zbatojnë.

Nga këndvështrimi se secila krizë përmban më vete edhe një mundësi, uroj që kjo krizë do të shërbej si mundësi për t’ia vërtetuar vetës dhe gjithë të tjerëve se e meritojmë shtetin që e kemi

Të ngjashme