Pallaska: Sulmi ndaj anëtarëve të familjes është formë primitive e të bërit politikë, LVV e ka aplikuar gjithmonë

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Juristi Dastid Pallaska ka kujtuar se sulmi ndaj anëtarëve të familjes së kundërshtarëve politikë ka qenë arma e preferuar e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas reagimeve lidhur me deklaratën e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut, Pallaska ka thënë se kjo është formë primitive e të bërit politik, por ka theksuar se këtë e ka bërë LVV që nga themelimi, shkruan Express.

“Ofendimi dhe sulmi ndaj anëtarëve të familjes së kundërshtarëve dhe/apo kritikëve politikë ka qenë arma më e preferuar e Lëvizjes Vetëvendosje prej themelimit të kësaj partie politike. Kjo armë është përdorur posaçërisht ndaj atyre kundër të cilëve Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur as argument për t’iu përgjigjur e as kapacitet që me kërcënim t’i heshtë. Gjithmonë e kam gjykuar dhe vazhdoj ta gjykoj këtë formë primitive të të bërit politikë, që është karakteristikë e partive të ekstremit të majtë”, ka shkruar Pallaska.

Ai ka thënë se LVV po dëshiron ta ndryshojë këtë diskurs, ndërsa ka shtuar se kjo kërkesë e LVV-së duhet të pranohet me një kusht.

“Tash Lëvizja Vetëvendosje dëshiron ndryshim të këtij diskursi, vetëm pse paska shijuar pak helmin e vet. Duke lënë anash hipokrizinë e këtij ndryshimi, këtë kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje duhet ta pranojmë të gjithë. Por, me një kusht. Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkoj falje publike për të gjitha fyerjet e sulmet, përfshirë edhe ato fizike, që ka bërë ndaj anëtarëve të familjes së kundështarëve dhe/apo kritikëve të vet politikë”, ka shkruar Pallaska.

Ai ka thënë se “vetëm kështu mund ta mbyllin këtë kapitull të pshtirë të politikës vendore”.

Të ngjashme