Pallaska: Tendenca e VV-së për pushtet absolut po e pengon “Koalicionin e Shpresës”

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Avokati Dastid Pallaska mospajtimin e VV-së dhe LDK-së për postin e Kryeparlamentarit e ka quajtur betejë josfisnike. Ai ka thënë se “Koalicioni i Shpresës” nuk po realizohet pasiqë Vetëvendosja me një deputet më shumë po provon të krijojë pushtet absolut në Kosovë.

Pallaska përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se dy partitë të cilat u shpallën si “Koalicioni i Shpresës” nuk po arrijnë të merren vesh për një arsye aq jofisnike siç është ajo e Kryetarit të Kuvendit.

“Si është e mundur që një koalicion që është ngritur mbi pretendime të larta morale – aq sa edhe është vetëpagëzuar si “koalicion i shpresës” – të mos materalizohet për një arsye kaq jofisnike”, ka shkruar Pallaska.

Tutje Pallaska ka shkruar se mospajtimi i dy partive është edhe më i pakuptimtë kur dihet se rëndësia e Kryeparlamentarit është sipërfaqësore.

“Mosmarrëveshja nuk ka kuptim as kur vlerësohet rëndësia e ngushtë kushtetuese e pozitës së Kryeparlamentarit, si një moderator i glorifikuar i një debati që – në rrethanat e Kosovës – zakonisht është sipërfaqësor dhe pa ndikim real në politikëbërje”, ka thënë ai.

Sipas Pallaskës nësë Glauk Konjfuca qëndron në pozitën e Kryeparlamentarit, atëherë pas një viti VV-ja do të ketë pushtet absolut në tri pozitat kryesore të shtetit.

“Nën këtë kontekst kushtetues-politik, po që se pozita e Kryeparlamentarit i mbetet LVV-së, pas skadimit të mandatit aktual të Presidentit LVV do të ketë pushtet absolut, duke i mbajtur efektivisht të tri pozitat kryesore të shtetit, Presidentin, Kryeparlamentarin dhe Kryeministrin.LVV do të kishte kontroll të plotë mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit nëpërmjet bllokimit të formimit të kuorumit prej 2/3, që është i nevojshëm për fillimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Negociatat për kandidatët potencial për President LVV do t’i udhëhiqte nga komoditeti i kohës që mund ta ketë vetëm partia që mban pozitën e Presidentit me ushtrues detyre”, ka thënë Pallaska.

Avokati Pallaska po ashtu ka thënë se mosmarrëveshja për krijimin e “Koalicionit të Shpresës” i takon VV-së pasiqë për një votë më shumë po dëshiron të vendos pushtet absolut në Kosovë.

“Kjo do të thotë se shkaku i mosmarrëveshjes për krijimin e “kalocionit të shpresës” nuk është një pozitë protokolare por thjeshtë përpjekja për vendosjen e pushtetit absolut nga një parti që ka vetëm një votë më shumë në Kuvend”, është shprehur Pallaska.

Të ngjashme